BBC i ka kushtuar vëmendje ardhjes së afganëve në Shqipëri, duke iu dedikuar edhe disa artikuj.
Së fundmi është intervistuar një prezantuese nga Afganistani, Beheshta Arghand e cila ishte mjaft e njohur në vendin e vetë dhe ka qenë e para që ka intervistuar një taleban pak ditë para se ata ta merrnin plotësisht kontrollin e vendit.
“Po më dridheshin duart, isha shumë e frikësuar sepse ishte hera e parë që shihja një taliban, edhe tani jam e frikësuar”, është shprehur Beheshta për BBC.
Ajo vendosi që të largohej nga vendi i vetë për një jetë më të sigurt dhe tani ndodhet në Shqipëri, por pavarësisht se i pëlqen si vend dhe i duket i bukur, ajo sërish dëshiron që të kthehet në vendin e saj sepse vetëm aty mund të ndihet e lumtur.
“Shqipëria është një vend i bukur. Jemi në një vend shumë të bukur, por edhe sikur të ishte parajsa, nuk ka rëndësi për mua. Zemrën dhe shpirtin i kam në Afganistan”, është shprehur ajo.
Ndërsa BBC ka shkruar se Shqipëria është një nga vendet më të varfra të Europës dhe sërish ka premtuar se do të strehojë mbi 4000 afganë.
“Humba gjithçka kur lashë vendin tim. Luftova për ëndrrën time dhe punën që kisha, por tani e llogaris me zero. Më mungon puna ime dhe shpresoj një ditë të kthehem”, ka treguar prezantuesja.