Kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha se do të vazhdojë puna për transformimin e partisë në një forcë politike më demokratike dhe më të hapur.
Berisha tha se janë duke u zhvilluar takime intensive me aleatët për të gjetur gjuhën e përbashkët për zgjedhjet lokale.
Ai u shpreh se mirëpriten të gjitha sugjerimet dhe kandidaturat e tyre, por jo vetëm. Ai shtoi se mirëpriten edhe kandidaturat nga shoqëria civile dhe bota akademike e vendit.
“Beteja për votën e PD dhe opozitës shqiptare në të gjitha aspektet është një betejë për idealet më të larta demokratike. Është një betejë për të vendosur në themel të shtetit ligjor vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë. Dua t’ju informoj se janë zhvilluar dhe do të zhvillohen takime intensive me aleatët tanë për të gjetur gjuhën e përbashkët. Kanë sugjerime. Kanë propozime të arsyeshme dhe theksoj që këtu që mirëpriten të gjitha sugjerimet e tyre, mirëpriten kandidaturat e tyre. Mirëpriten në mënyrë të padiskutueshme kandidatura nga shoqëria civile, bota akademike e vendit. Hapim një garë të paparë ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Duhet të bëjmë gjithçka për suksesin e saj. Suksesi i kësaj gare është një sukses për PD, opozitën dhe demokracinë në Shqipëri”, u shpreh Berisha.