Partia Demokratike zhvilloi dje primaret, proces që vendos për kandidatët të cilët do të garojnë përballë Partisë Socialiste në zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Qendrat e votimit u hapën në orën 08:00 të u mbyllën në 18:00, por në disa degë për shkak të fluksit votimi vijoi edhe pas orarit zyrtar. Sipas të dhënave të para numri i pjesëmarrësve, anëtarëve dhe simpatizantëve të PD në këto primari kapërceu shifrën 60 mijë.
Gara ka qenë e fortë në Tiranë ku ishin 7 kandidatë si dhe në disa qytete të tjera.
Numërimi i votave përfundoi rreth orës 01:30 pas mesnate. Sipas të dhënave paraprake, Tirana dhe 6 bashki të tjera shkojnë në balotazh.
Në Tiranë Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti shkojnë në balotazh. Këlliçi ka arritur të marrë 4040 vota, ndërsa Alimehmeti 2196 vota. I treti më i votuar ka qenë Gerti Bogdani i cili numëron 1819 vota.
Krahas Tiranës, balotazh për primaret do të ketë edhe në Dibër, Fier, Librazhd, Sarandë, Mat dhe Mirditë. Raundi i dytë i primareve në këto bashki do të mbahet të dielën e ardhshme.
Gara u zhvillua në 56 Bashki nga 61 që janë gjithsej. Procesi i primareve nuk është zhvilluar në Bashkitë e Pusnecit, Himarës, Finiq e Dropull, pasi në këto zona u është lënë e drejta e zgjedhjeve aleantëve minoritarë. Po ashtu, Primare nuk u zhvilluan edhe në Malësinë e Madhe, pasi dega e PD nuk ka pranuar të përfshihet në proces.
Pas zyrtarizimit të rezultateve pritet që dy deputetë demokratë të lëne mandatin, për shkak se rezultuan fitues në primare, Luçiano Boçi në Elbasan dhe Zef Hila në Vaun e Dejës.