Kancelarja Angela Merkel u pyet në një intervistë, nëse ka ende besim tek Donald Trump. Një pyetje e çuditshme. Sepse marrëdhënia transatlantike ka kohë që është kthyer në një pirg rrënojash, thekson Sabine Kinkartz.
Jo, kjo nuk është nekrologji e marrëdhënieve gjermano-amerikane. Edhe pse në këtë moment nuk ka ndonjë shkas për ta quajtur atë vërtet ekzistente dhe të gjallë. Edhe pse është e vështirë të durohet, që pikërisht kjo marrëdhënie është kaq e shkatërruar tani. E nuk të ngushëllon fakti, që marrëdhënia e helmuar me SHBA parë në planin global nuk është rast i veçantë.
SHBA – Gjermani. Një marrëdhënie gjithmonë e veçantë. Një marrëdhënie dashurie, e vetëkuptueshme, e pathyeshme. Amerika, ky vend ishte në shekullin e 20-të bota e re, fanar i demokracisë, vendi i mundësive të pakufizuara. Në vitet 80-të dhe 90-të vendi i dëshiruar jo vetëm nga të rinjtë gjermanë. Kaq modern, kaq progresiv, kaq i hapur për ide të reja. Një udhëtim në Nju Jork, San Francisko, Los Anxhelos – kujt nuk i ndrisnin sytë para një mundësie të tillë?
Jo çdo gjë që shkëlqente ishte ar
Edhe nga ana politike, SHBA dhe Gjermania i përkisnin njëra-tjetrës. Ata ishin aleatët më të ngushtë, e kjo jo vetëm në kuptimin ushtarak. Si një çift i martuar me vite. Deri sa të na ndajë vdekja. Që nuk do të thotë, se asnjëri nuk rrëshqiti dikur në ndonjë gabim. Morali i keq i pagesës së gjermanëve në NATO, suficencat eksportuese të Gjermanisë, marrëdhënia shpesh jo edhe aq kritike ndaj Kinës -të gjithë këto kishin kohë që ishin tema grindjeje. Edhe nën presidentin Obama nuk ishte ar çdo gjë që shkëlqente. Por diferencat asnjëherë nuk e vinin në pikëpyetje marrëdhënien transatlantike.
Kjo ka ndryshuar sot, madje kaq masivisht, saqë nuk ke nevojë të vendosësh syze rozë për të menduar se e shkuara ishte vërtet më e mirë. A ka ende besim tek presidenti, Donald Trump u pyet kancelarja Merkel në një intervistë në televizionin gjerman këtë javë. Përgjigja e saj ishte e thatë dhe e qëlluar. “Unë punoj me presidentët e zgjedhur në botë, dhe natyrisht edhe me atë amerikan.” Ajo edhe mund të thoshte: Si politikane nuk mundem ndryshe, më duhet të duroj, kjo është puna ime.
Gjermanët janë të shokuar
Kjo tingëllon e esëllt dhe pragmatike, dhe ashtu është vërtet. Por natyrisht Merkelin nuk e lë indiferente ajo që po ndodh në Amerikë. Si shumë gjermanë edhe ajo është e tronditur për shpërthimin e dhunës, për shoqërinë amerikane aq të përçarë, për rolin që luan Trump. Aksionin e policisë me pasojë vdekjen e afroamerikanit, George Floyd Merkel e cilëson “vrasje” dhe është e shqetësuar, se ku po shkon ky vend kaq i polarizuar. “Unë vetëm mund të shpresoj, që të arrihet një zgjidhje, dhe jam e gëzuar që shumë vetëm japin kontribut për këtë.” Me këtë Merkel nuk ka pasur parasysh Donald Trump.
Nuk mund të mos vihet re, se kancelarja ka hequr dorë nga çdo përpjekje për të bashkëpunuar me Donald Trump. Besim tek Trump ajo nuk ka pasur kurrë. Por në fillim pala gjermane kishte shpresë, që posti mund ta vinte Donald Trumpin në udhë, të paktën aq sa të mundësohej një politikë e përbashkët. Por kjo shpresë u shkatërrua shpejt. Ajo që pasoi ishte habi, mungesë mirëkuptimi, zemërim, shok bashkuar me pafuqi politike.
Ai polarizon, Merkel kërkon të bashkojë
Ajo që Merkel nuk ia fal Trumpit është largimi i tij nga bashkëpunimi ndërkombëtar. Ai e refuzon çdo gjë, që për kancelaren Merkel është baza e një rendi botëror funksionues: organizatat ndërkombëtare dhe një rend multilateral ndërkombëtar. Për këtë Merkel ka luftuar gjithmonë, sepse ajo është e bindur, që politika duhet të ulë në një tavolinë krerët e t’i bëjë të gjejnë një zgjidhje.
Por llambat e kuqe u ndezën, kur Trump deklaroi largimin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në mes të pandemisë Corona. Por dihet, më së miri Trump do që ta shohë pandeminë si të përfunduar. Prandaj nuk do as edhe një pengesë që samitin e G7-s ta organizojë si takim personal mes krerëve të shteteve dhe qeverive në SHBA. Këto do të ishin pamje të dëshiruara për fushatën.
Ndihmë për fushatë zgjedhore? Jo të lutem!
Por Angela Merkel nuk ia jep këtë skenë Donald Trumpit. Ajo ka refuzuar pjesëmarrjen këtë javë duke iu referuar pandemisë së Coronës. Të mbështesësh luftën e këtij presidenti për t’u rizgjedhur në nëntor? Me siguri jo. Merkel bën pjesë tek ata që shpresojnë për ndryshim personeli në Shtëpinë e Bardhë. Megjithëse edhe ajo e di, që edhe nën një president, Joe Biden jo çdo gjë do të ishte automatikisht në rregull. Bota është rrotulluar shumë këto vite. Por të paktën të punohet për të kthyer besimin e humbur.
Deri atëherë mbetet të pritet dhe të vëzhgohen nga larg zhvillimet në SHBA. Kaosi i dhunshëm dhe pandemia e Coronës, që kërkon edhe më tej jetë njerëzish dhe do të godasë ekonominë, do ta preokupojnë gjatë Amerikën.
Por çfarë ndodh, nëse Donald Trump arrin edhe një mandat të dytë? A do ta durojë dot këtë marrëdhënia gjermano-amerikane? Zor…po të kujtosh, se çfarë është shkatërruar në katër vitet e fundit. Atëherë përfundimisht do të fillonte epoka e akullit. Pra mbetet vetëm të shpresohet./DW