Ditët e fundit të nëntorit do të jenë me mot të paqëndrueshëm. E hëna është dita më e ftohtë ku temperaturat shënuan -8 gradë celsius, por sipas parashikimeve të sinoptikanëve, prej mëngjesit të të martës temperaturat pësojnë rritje ndërkohë që i gjithë territori i vendit do të përfshihet nga reshjet e shiut.
“Ka 6-7 gradë rritje, duke e bërë mëngjesin krejt ndryshe nga sot, pra do të jetë mëngjes i ngrohtë. Do të kthehen rrebeshet e shiut në pjesën më të madhe të Ultësirës Perëndimore. Do të ketë reshje dëbore vetëm në zonat e thella pasi temperaturat do të rriten në qytetet e zonave malore”, tha sinoptikania Lajda Porja nga “MeteoAlb”.
Më 28 Nëntor, sinoptikanët parashikojnë reshje në të gjithë territorin e vendin përfshirë edhe Tiranën.
“Do nisin le të themi herët në zonat veri-perëndimore ku gradualisht edhe Tirana është e rrezikuar nga reshjet që mund të nisin rreth orës 9-9:30. Mund të jenë si fillim me intensitet të ulët dhe gradualisht edhe Tirana do të përfshihet herë pas here nga rrebeshe. Nuk do të kemi reshje intensive gjatë gjithë ditës. Ka raste kur do të ketë ndërprerje ku reshjet janë më të pakta. Pjesa e dytë e ditës është ajo që ka sasinë më të konsiderueshme ose më saktë nga ora 15:00-19:00 ky është intervali kur shirat bëhen intensive pothuajse në një pjesë të mirë të territorit.”
Dita e mërkurë do të jetë pa reshje.
“Data 29 sjell një përmirësim të motit, duke ja lënë vendin vranësirave dhe intervaleve të shkurtra me kthjellime. Kjo situatë do të qëndrojë të enjten dhe të premten dhe reshjet do të rikthehen sërish të shtunën.”
Sipas sinoptikanëve, edhe muaji dhjetor do të nisë me mot të paqëndrueshëm dhe reshje.