Pasi GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest me burg” për Jamarbër Malltezin, avokati i tij mbrojtës ka thënë se nuk ka asnjë vepër penale në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Në një prononcim për mediat, avokati Skënderi shprehet se qëndrimi i tij është mohues në lidhje me vendimin e GJKKO-së.
“Të akuzosh dikë sepse është një trashëgimtar i ligjshëm i një familje tiranase, siç është Begeja dhe se ka lidhur marrëdhënie kontraktore me një trashëgimtar tjetër të një familje tjetër tiranase, është shumë e guximshme”, tha Klodian Skënderi, avokati i Jamarbër Malltezit.
Avokati i Malltezit deklaroi më tej se në Shqipëri po cënohet parimi i sigurisë juridike.
“Qëndrimi jonë që në rastin konkret nuk ka vepër penale. Personat nën hetim janë përballë një marrëdhënie juridiko-civile të pastër. Nuk mund të aludohet që me anë të ligjeve apo VKM-ve, të cilat as nuk janë kundërshtuar, të pretendohet kryerja e veprave penale. Qëndrimi jonë me akuzat e atribuara, qëndrim mohues, këtë e them me bindje për aq sa mundëm t’i shihnim fashikujt. Të akuzosh dikë sepse është një trashëgimtar i ligjshëm i një familje tiranase, siç është Begeja dhe se ka lidhur marrëdhënie kontraktore me një trashëgimtar tjetër të një familje tjetër tiranase, është shumë e guximshme. Standardi i provueshmërisë është shumë i ulët dhe me këto aludime, këtu në këtë vend po cënohet parimi i sigurisë juridike”, tha avokati.
Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim dhe pastrim parash në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Jamarbër Malltezi u arrestua pasditen e së shtunës në aeroportin e Rinasit, pas kërkesës së SPAK dhe urdhër arrestit të miratuar nga GJKKO. Sot, Gjykata e Posaçme vendosi ta lërë në fuqi të njëjtën masë sigurie.