Kanë kaluar pak ditë nga festimi i titullit kampion për Interin, një trofe që mungonte prej 11 vitesh, por euforia e kësaj feste duket se po shuhet shumë shpejt në shtëpinë zikaltër.
Administratori i deleguar i Interit, Beppe Marotta dhe presidenti Steven Zhang kanë deklaruar, do të ketë një takim dhe bisede të sinqertë me lojtarët për të përballuar vështirësitë ekonomike që ka klubi.
Propozimi që do t’u bëhet lojtarëve është që ata të heqin dorë nga paga e muajit nëntor dhe dhjetor, të cilat ende nuk janë dhënë, në mënyrë që klubi të kursejë rreth 25 milionë euro, megjithatë gjasat janë që kjo kërkesë të mos gjejë miratimin e futbollistëve.
Nëse në mënyrë definitive, ky propozim nuk gjen dakordësinë e futbollistëve, drejtuesit duhet të mendojnë për një plan B, që parashikon rishikimin e kontratave për periudhën në vazhdim. Asgjë nuk do të jetë e thjeshtë sepse ka kontrata lojtarësh që janë drejt përfundimit dhe të tjerë që kanë marrëveshje disi të komplikuara.
Të ardhmen e Interi mund ta ndryshojë Antonio Conte, i cili prej kohësh ka kërkuar një takim me drejtuesit në fund të sezonit, për të diskutuar për planet që ata kanë, pasi numri një i stolit kërkon garanci nga presidenca, në lidhje me projektin sportiv.