Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Fatmira Hajdari. Nga seanca e mëparshme u njoftua se Hajdari kishte probleme me justifikimin e pasurisë në vlerën e 60 milionë lekëve.
Avokati i saj Maks Haxhia e konsideroi vendimin e KPK të paligjshëm dhe se do ta apelojnë.
Problematik u konsiderua ndërtimi i një pallati 10-katësh në truallin e familjes pranë banesës së saj në Rrugën e Elbasanit në Tiranë, prej djalit të saj dhe një shoqërie private.
Sipas KPK, ndërtimi ishte pa leje dhe mbi një pjesë toke që nuk ishte pronë e tyre. Në lidhje me kriterin e figurës, ajo vlerësohet e papërshtatshme me argumentin se nuk kishte deklaruar faktin se i ishte refuzuar viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hajdari u përlot, duke thënë se ndihet e fyer që ishte vënë në diskutim figura e saj, duke thënë se kur kishte plotësuar formularët vetingut nuk kishte pasur dijeni për revokimin e vizës.