Ndryshimi i ekuilibrave të fuqisë
Elementi i parë që na duhet për të kuptuar zhvillimet e sotme është ndryshimi i ekuilibrave të fuqive midis Greqisë dhe Turqisë, sidomos në fushën e ekonomisë, ku fuqia e Turqisë është disa herë më e madhe se ajo e Greqisë. Rezultati është se Turqia ka potencialin të shtojë fondet e diplomacisë. Për më tepër, ndryshe nga Greqia, ku të qenit dypartiakë dhe diplomacia kanë zhbërë industrinë e mbrojtjes, Turqia e ka zhvilluar këtë industri me prodhim avionësh, tankesh, dronësh e lufte kibernetike.
Veç kësaj, popullsia është disa herë më e madhe. Turqia ka edhe përvojë ushtarake, për shkak të veprimtarive të paligjshme në Irak dhe Siri, ndërsa në Libi përdor një ushtri me xhihadistë. Këto ndryshime të ekuilibrave të fuqisë ushtarake e ndihmojnë Turqinë të shfaqë aftësitë ofensive. Ky fakt bën që politikat e aleancave të jenë edhe më të domosdoshme për Greqinë.
Turqia, në anën tjetër, ka një sërë dobësish e kontradiktash brenda vetes që udhëheqja politike e ka të vështirë t’i menaxhojë: pabarazia shoqërore, konfliktet fetare e kombëtare, zhvillimi i pabarabartë i rajoneve, si dhe ekonomia që po jep shenja rënieje. Një dobësi e rëndësishme e Turqisë është mosfunksionimi institucional dhe degradimi i demokracisë.
Fatkeqësisht, elementet negative të akumuluara në sistemin politik grek nuk lejojnë që Greqia t’i përdorë institucionet demokratike si një element fuqie, diçka që duhet të bëhet urgjentisht, me zgjerimin dhe konsolidimin e institucioneve.
Turqia, e cila ndihet më e fuqishme se një shekull më parë, si në bazë ashtu dhe në nivel drejtues, ka shfaqur tendenca revizioniste dhe një qëndrim nervoz ndaj botës së jashtme. Po përpiqet gjithnjë e më shumë të mos i lejojë fqinjët të ushtrojnë të drejtat e tyre, sigurisht që përveç Rusisë.
Tre faktorët e shfaqjes së pushtetit
Agresioni i Turqisë është produkt i fuqizimit, i nocionit që mund të ndryshojë rezultatet e së shkuarës; rezultat i ambicies për udhëheqje, por edhe i ekzistencës së tre faktorëve që Turqia i sheh si mënyrë për të lehtësuar zbatimin e politikave.
E para është që ndihet aq e fortë sa të imponojë vullnetin e vet nëpërmjet presionit, siç ka bërë deri tani me Greqinë; ose nëpërmjet armëve, siç ka bërë në botën arabe, duke llogaritur se fitimet do të jenë më të mëdha se çfarëdo lloj humbjeje që mund të pësojë.
Faktori i dytë është se e sheh udhëheqjen e Sirisë, Irakut dhe Libisë si të dobët. Fatkeqësisht, këto ndjesi i ka marrë edhe nga qeveria greke, që nga çasti i parë që u takuan në Nju Jork, në shtator të vitit 2019. Si rrjedhojë, Turqisë i kanë pëlqyer lojërat pa vlerë të cilat Greqia ia lejoi vetes në lidhje me shkeljet që bëri Turqia në Zonën Ekskluzive Ekonomike dhe në ujërat territorialë të Qipros, por edhe për shkak të fjalëve boshe që kanë mbizotëruar në qeverinë greke, si pasojë e mendësisë së “strucit” në lidhje me një sërë zhvillimesh në Egje.
Faktori i tretë është ndjesia e Turqisë se po të veprojë me agresivitet, duke e shtrembëruar interpretimin e ligjeve ndërkombëtare, ka për t’u toleruar. Vlen të përmendet se Rusia, në mënyrë kontradiktore, është në një fazë të ngjashme me përpjekjet e Leninit për ta ndarë Turqinë nga Perëndimi, rreth një shekull më parë.
Kinës i intereson gjeo-ekonomia e zonës, por jo gjeopolitika. Izraeli është i zhytur në problemet e veta të brendshme, tani që koalicioni në pushtet ka një parti të re, dashamirëse ndaj Turqisë. Britania ka qenë e përfshirë me krizën e Brexit dhe të pandemisë. BE-ja përfaqëson arbitrin midis një vendi anëtar e një vendi jo-anëtar. Diçka për të cilën është përgjegjëse “diplomacia” e qeverisë (larg qoftë), ndërsa shteti më i fuqishëm i BE-së, Gjermania, po sillet njësoj si në shekullin e 19-të, një aleat i Turqisë, duke e furnizuar me materiale ushtarake. Dhe së fundmi, edhe Trump ka shfaqur një “pro-Turqizëm” individual. Vetëm një vend po përpiqet të mos e lejojë Turqinë që të përfitojë nga ky boshllëk: Franca. Sigurisht që për interesat e veta, por po përpiqet.
Franca është tashmë “aleati natyral” i Greqisë, në një situatë tepër të vështirë. Një aleat që është i gatshëm të mbështesë Qipron në mënyrë domethënëse. Fatkeqësisht, qeveria e greke, e drejtuar nga Demokracia e Re, e braktisi bashkëpunimin me Francën për shkak të presionit të gjermanëve, si dhe ndoshta të nxitur edhe nga amerikanët. Një Francë që po bashkëpunon fort me Egjiptin dhe Libinë në fushën e mbrojtjes. Me pak fjalë, jemi në një fazë ku interesat e Qipros, Greqisë, Egjiptit dhe Francës shkojnë krah për krah me përpjekjet kundër agresionit turk.
Megjithatë, Athina nuk po kërkon aleatë të tjerë që t’u bëjë ballë provokimeve turke, por “ndërmjetës” që të “lehtësojnë” rrugën e nisur drejt nënshtrimit dhe tërheqjes. Duket se e ka ngadalësuar aleancën me Parisin në mënyrë që të qëndrojë më pranë Gjermanisë. Kështu do ta shtyjnë vendin drejt një situate si e “Madridit”, por edhe më të gjerë” (siç ishte tërheqja tepër e gabuar e Simitisit), si dhe do të ishte një situatë e re si ajo e detit Imia. Tërheqje që unë do t’i analizoj në artikullin e javës së ardhshme.
*Nikos Kotzias është ish-ministër i jashtëm i Greqisë, Profesor i Merituar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Politikë të Jashtme te Universiteti i Pireut, anëtar i Lëvizjes Pratto.