Sport Problemet me zemrën, Aguero i jep lamtumirën futbollit

Problemet me zemrën, Aguero i jep lamtumirën futbollit

Kun Aguero tërhiqet nga futbolli. Lajmin e ka dhënë gazetari Gerard Romero, që është edhe mik i Agueros. gjatë programit të tij “Jijantes”. Radio Catalunya raporton se sulmuesi nuk mund të ushtronte sportet profesionale për shkak të problemeve që ka shfaqur në zemër dhe, pavarësisht qëndrimit fillestar mohues nga vetë lojtari argjentinas, ai tashmë e ka marrë vendimin “për të varur këpucët në gozhdë”.

Gazetari Gerard Romero ka njoftuar se Aguero tashmë ka planifikuar një konferencë për shtyp javën e ardhshme, për të konfirmuar informacionin dhe për t’u thënë lamtumirën tifozëve.

Më 2 nëntor, Barcelona raportoi se ai u ishte nënshtruar testeve dhe se do të kontrollohej për tre muaj me radhë për të parë nëse mund të vazhdonte të ushtronte profesionin e tij.

Argjentinasi ka prenotuar një vizitë edhe te mjekët e AFA-s, për të marrë më shumë opinione rreth gjendjes së tij. Goli në portën e Realit të Madridit në “El Clasico” është, deri më tani, i vetmi i shënuar prej tij me fanellën “blaugrana”. Me shumë gjasa, i fundit i një sulmuesi legjendar, zemra e të cilit e detyron të ndalojë.