Gjashtë liderët e Ballkanit e Perëndimor kanë firmosur sot në samitin e “Procesit të Berlinit” tri marrëveshjet, të cilat janë:
-Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor.
-Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor
-Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore.
Të pranishëm në këtë samit janë kryeministri Edi Rama, Albin Kurti, Dritan Abazoviç, Ana Bërnabiç, Dimitar Kovaçevski dhe Kyriakos Mitsotakis.
Për samitin e sotëm presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen shkroi në Twitter se ndihej mirë që gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor ishin bashkë në Berlin, një javë pas vizitës së saj në rajon.
Ajo tha se “Procesi i Berlinit” po mbahej për të thelluar integrimin ekonomik, ndërsa ndihma do të niste me energjinë.
Si mikpritës i Samitit të Procesit të Berlinit, kancelari Scholz e ka hapur fjalimin e tij me premtimin se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor e meritojnë të anëtarësohen në familjen europiane dhe kjo gjë është në interesin e vetë rajonit. “6 vendet e Ballkanit i përkasin Evropës së lirë dhe anëtarësimi i tyre në BE është në interesin tonë. Premtimi për të ardhmen evropiane për Ballkanin Perëndimor është puna jonë për ta kthyer në realitet dhe kjo na ka bërë bashkë sot”, tha Scholz.
Gjatë fjalës së tij, kancelari gjerman u ndal dhe te bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ku përsëriti edhe njëherë qëndrimin se duhet të përshpejtohet procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Është koha për të tejkaluar konfliktet rajonale që ju ndajnë e ju mbajnë të përçarë në rrugëtimin evropian. Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet në mënyrë që të prodhojë rezultate”, u shpreh Scholz.
Kancelari shtoi se Procesi i Berlinit nuk do të ketë për detyrë vetëm të çliroj gjithë potencialin e bashkëpunimit, por të përshpejtoj edhe integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit. “Sot po bëni hapa madhorë duke nënshkruar 3 marrëveshje të rëndësishme. Tregu i përbashkët rajonal do të nxisë ekonominë dhe investimet në rajon. Marrëveshjet do t’iu mundësojnë qytetarëve tuaj që të lëvizin vetëm me letërnjoftime dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva të plotësojnë studimet e tyre në Beograd, apo arkitektët nga Tirana të marrin një vend pune në Shkup”, përfundoi Scholz.