Në procesin më voluminoz ndaj mafies në Itali që prej më shumë se tri dekadash u shpallën dënimet me nga disa muaj deri në 30 vjet burg. Akuzat ishin nga kontrabandë droge deri në mitmarrje dhe tentativa për vrasje.
Ndër të dënuarit, emrat e të cilëve i lexoi për gati një orë e gjysmë kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Brigida Cavasino, janë krahas anëtarëve të ‘Ndrangheta-s edhe ndihmës të mafies kalabreze në radhët e policisë, politikës dhe administratës. Nga gjyqi u shqiptuan dënime nga disa muaj deri në 30 vjet heqje lirie.
Në epiqendër klani Mancuso
Në të ashtuquajturin Maxi-Proces në një sallë gjyqi të sigurisë së lartë e konstruktuar në një magazinë mallrash në qytetin Lamezia Terme në rajonin jugor të Kalabrisë që prej janarit 2021 po shqyrtoheshin aferat e ‘Ndrangheta-s. Në qendër në procesit ishin klani i fuqishëm Mancuso nga provinca Vibo Valentia si dhe mbështetësit e tij dhe ndihmësit e mbështetësve të tij.
Pamje nga jashtë e ish-depos së mallrave e konstruktuar në një sallë të madhe gjyqi Pamje nga jashtë e ish-depos së mallrave e konstruktuar në një sallë të madhe gjyqi
Prokuroria për gjithsej 322 të akuzuarit kërkoi gati 5000 vjet gjithsej. Pikat e akuzës ishin që nga kontrabandë droge dhe krijim të një organizate mafioze deri tek larje parash, mitmarrje e tentativa për vrasje. Kundër një duzine bosësh të mafies prokuroria kërkoi dënimin maksimal me 30 vjet heqje lirie.
Rreth 200 të akuzuar u gjetën fajtorë dhe u dënuan, të tjerët u liruan. Vetëm katër mafiozë u dënuan konform kërkesës së prokurorisë me dënim maksimal. Një ndër të akuzuarit më të spikatur, 70-vjeçari ish-deputet në parlament, Giancarlo Pittelli, u dënua me 11 vjet heqje lirie – ndërsa prokuroria pati kërkuar 17 vjet.
‘Ndrangheta i ka rrënjët e saj në Kalabri, por ndërkohë është aktive në rreth 40 shtete, ndër to edhe në Gjermani. Falë thuajse monopolit të saj, tregtisë europiane të kokainës, kjo është organizata mafioze më e pasur dhe më e fuqishme italiane që ka arritur të nënshtrojë edhe aparatin shtetëror.
Anëtarë të mafies shkelën paktin për heshtjen
Shumica e të akuzuarve, të dalë para gjyqit në Lamezia Terme, u arrestuan më 2019 në valën e një aksioni të koordinuar me kontrolle natën në Itali, Gjermani, Zvicër dhe Bullgari. Procesi kundër 69 vjeçarit, shef i klanit, Luigi Mancuso, me pseudonimin “Daja”, u shkëput vitin e kaluar nga procesi i përgjithshëm si çështje për t’u trajtuar veçmas. Përpara gjyqit qëndruan krahas anëtarëve të klanit edhe sipërmarrës, kryetarë bashkie, nëpunës dhe policë të niveleve të larta.
Procesi voluminoz në Lamezia Terme, ku marrjet në pyetje të dëshmitarëve kanë zgjatur me mijëra orë u bë i mundur vetëm pasi dhjetëra anëtarë të ‘Ndrangheta-s’ shkelën paktin e heshtjes, të ashtuquajturin Omerta, ndër ta edhe një nip i Luigi Mancusos. Dëshmitarët kryesorë treguan para gjyqit për fshehjen e armëve nëpër varreza dhe për kontrabandën me drogë me ndihmën e automjeteve të urgjencës duke përshkruar gjithashtu, se si ‘Ndrangheta’ shfrytëzonte për plantacionet e marihuanës rezervat e ujit të pijshëm të komunave.
Dëshmitarët përshkruajnë kërcënimet makabre ndaj njerëzve
Dëshmitarët përshkruan gjithashtu, se si ‘Ndrangheta’ kërcënonte njerëzit duke i frikësuar: përpara pragut të shtëpisë u hidheshin qen të ngordhur, kadavra delfinësh apo koka dhish, makinave u vihej zjarri dhe dyqanet plaçkiteshin. Mafiozët, sipas tyre, nuk stepeshin për asgjë duke i rrahur brutalisht kundërshtarët e tyre, ose duke i zhdukur ata pa lënë gjurmë.