Qeveria synon që prodhimet “Made in Albania” t’i tregtojnë drejt vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës.
Teksa vizitoi panairin e bujqësisë në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se për këtë qëllim do të hartohet edhe një listë me produktet e eksporteve “Made in Albania”, duke synuar tregtimin e tyre, jo vetëm drejt shteteve të BE-së.
“Do bëjmë një katalog të produkteve të eksporteve, sepse kemi bërë një plan për t’i shtrirë në disa vende. Qoftë edhe në Lindjen e Mesme, qoftë në Afrikë. Do bëjmë një xhiro promovuese. Në nivelin politik e kemi zgjedhur. Tani duhet ta bëjmë në nivel teknik”.
Kryeministri, i shoqëruar nga ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, tha se falë mbështetjes së qeverisë janë rritur prodhimet dhe eksportet shqiptare.
“Bujqësia shqiptare eksporton kaq shumë dhe këta thonë nuk ka bujqësi, ka vdekur. I ha unë të gjitha”
Kryeministri Rama shprehet se panaire të tilla duhet të zhvillohet më shpesh për të promovuar produktet shqiptare.
Qeveria deklaron se fondi për mbështetjen e bujqësisë në vendin tonë është 3.7 miliardë lekë, ndërsa në mënyrë të drejtpërdrejtë qeveria po ndihmon rreth 50 mijë fermerë duke shpërndarë 12 milionë litra naftë.