Të shumtë janë emrat e memaliotëve që kanë dhënë një kontribut të veçantë, në fusha të ndryshme të jetës dhe një prej tyre është edhe Namik Caushi.
Namik Caushi u lind në Levan të Tepelens, më 22 shkurt të vitit 1951, me prindër Rabushe dhe Karafil Caushi, me tradita atdhetare, që i kanë dhënë vendit, jo vetëm për tu çliruar nga pushtuesit e huaj, por edhe në ndërtimin e vendit. Pas gjashtë muajsh, familja Caushi, vendoset në Memaliaj, një qytezë që po zhvillohej me hapa shumë të shpejta, në çdo drejtim.
Namiku, u rrit në një familje me tradita në sporte, kryesisht në atë të futbollit, pasi babai i tij, Karafil Caushi, është tepelenasi që ka hedhur themelet e futbollit në rrethin e Tepelenës, por edhe të sporteve të tjera, të cilat u çertifikuan dhe janë trashëguar, deri në ditët e sotme.
Arsimin 8-vjeçar, e kreu në Memaliaj, ku dhe nisi aktivitetin e tij sportiv. Edhe pse ai kishte një mundësi më shumë se të tjerët, pasi babai i tij, ishte gjithçka për futbollin në atë kohë, talentit të tij i trashëguar nga babai, spikaste në një nivel shumë të lartë nga bashkëmoshatarët e tij. Kjo e bëri babain e tij, t’i jepte më shumë vëmendje dhe që në moshën shtatëvjeçare, e merrte me vete me ekipin, në çdo ndeshje që kishin, si në Përmet, Sarandë, Delvinë, Gramsh, Librazhd, Himarë, Ersekë, …etj.
Edhe pse në atë kohë nuk kishte ekipe zinxhir, zhvilloheshin kampionate ndërmjet klasave të shkollës 8-vjeçare, ku klasa e tij doli kampione dhe më vonë n/kampione me ato të gjimnazit, ku luanin edhe shumë talente të tjerë, si: Myzafer Shehu, Sadik Nela, Novruz Çibuku, …etj, të cilët më vonë u aktivizuan me ekipin e të rriturve të “Minatorit”. Ishte kampionati i vitit 1966-67, kur Namik Çaushi u federua me ekipin e parë të “Minatorit”, koha kur “Minatori” hyri në Kategori të Dytë, por luajti shumë pak dhe vetëm në disa ndeshje nga fundi. Golin e parë e ka shënuar, kundër ekipit të Skraparit dhe portier ka qenë gjirokastriti, Neim Guri, i cili kryente ushtrin në atë kohë,, në këtë trevë.
Më pas, ai konkurroi për pikturë dhe fitoi të drejtën e studimit për skulpturë në shkollën e mesme artistike. Përgjatë katër viteve studimesh, në Liceun Artistik, dy vjet u aktivizua me ekipin e të rinjve të Dinamos dhe me ekipin e kombëtares së “Shpresës”, përgjatë viteve 1970-71.
Në kohën kur do kalonte me ekipin e parë të Dinamos, nga rrethi Tepelenës dërgohet një raport, ku vihej në dijeni se babai i tij, Karafil Asllan Caushi ishte përjashtuar nga partia në vitin 1953 dhe se kishte bërë 9 vjet burg, që edhe sot nuk dihet arsyeja, dënime këto të stisura të regjimit edhe pse Karafili kishte qenë partizan. Kjo arsye nuk iu njoftua nga “Klubi Dinamo”, por ndikoi për të mos u grumbulluar me ekipin e parë.
Me këtë ndodhi u mbyll edhe karriera e tij sportive me ekipin e “Dinamos”. Me ekipin e të rinjve dhe shpresat, ka shënuar 14 gola, por me lojën dhe aftësitë e tij si mesfushorë, ka nxjerr golashënuesin më të mirë me të rinjtë, Agron Shallpo me 37 gola të shënuar në kampionatin sportiv 1969-70, duke sfiduar golashënues si, Vasillaq Zëri, Agron Sula, Agim Janku, e shumë të tjerë.
Në kampionatin e vitit sportiv 1968-69, të rinjtë e “Dinamos renditeshin në vendin e 13-të dhe nga ekipi “Shkëndia” e asaj kohe, kishin pësuar humbje të thellë 8-0. Kishin vite që humbisnin, por në dy vitet që u aktivizua futbollisti, Namik Caushi, morën katër barazime me “Shkëndin”, natyrisht edhe të përforcuar nga dy lojtar me moshë 21 vjeçare nga ekipi i parë, pasi kështu ishte vendosur me rregulloren e federatës së asaj kohe. Në dy ndeshje, ka shënuar gol ndaj “Shkëndis”. Një nga dy golat, ishte me penallti, të cilën ai e mori vetë.
Babai i tij, Karafil Asllani Caushi edhe pse ai ka qenë partizan, qysh në vitin 1942 duke u inkuadruar në Batalionn Baba Abaz dhe në vazhdim, në Brigadën e 16-të Sulmuese dhe mbas çlirimit, interesat e tij i vuri para interesave familjare, duke themeluar futbollin në rreth dhe shumë sporte të tjera, ai u sulmua nga sekretari i komitetit të partisë dhe kryetari i komitetit ekzekutiv të asaj kohe të rrethit të Tepelenës. Kundërvëniet nuk mjaftuan vetëm ndaj tij, duke e hequr nga puna si Kryetar të Seksionit të Sporteve në rreth, të cilën ai e drejtonte për disa vjet, por shkuan më tej duke i masakruar edhe fatet e të ardhmes së fëmijëve të tij. Drejtuesit e atij rregjimi në rreth, nuk morën parasysh as kontributin e babait të Karafilit, patriotin dhe atdhetarin, Asllan Caushi, i cili ka marrë pjesë me çetën e tij, në ruajtje të Ismail Qemalit, në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë; në 1920-n, kundra Italisë fashiste dhe më 1924-n, u bashkua me forcat e Fan Nolit, nën drejtimin e Riza Cerovës.
Djalin e tij, Namik Caushin e degdisën me punë në minierë e pastaj në fshatrat Krahës, Progonat, ndërsa djalin tjetër më të vogël Bektashin, nuk i dhanë të drejtë konkurrimi për të studiuar në shkollën e mjeshtërisë sportive. Jo vetëm kaq, por është fakt se edhe pas vdekjes së babait të tij të mirënjohurit Karafil A. Caushi, Tepelena nuk e lejoi këtë djalë të talentuar që të luante me ekipin kryeqytetas Dinamo (veprime këto të luftës së klasave që tregon edhe njëherë injorancën e atij pushteti diktatorial) edhe pse Bektash Caushin e donte i gjithë stafi, sidomos presidenti i klubit Iljaz Çeço dhe sekretari i klubit Stavri Lubonja, njëkohësisht pedagog në Universitetin e Tiranës, të dy lojtarë të shquar të kombëtares.
Dy vajzave të tjera, Tefta dhe Tatjana Caushit, nuk u dha e drejta për të konkurruar për në degët e artit si, regjisurë, teoritik dhe pikturë. Pasojat rrodhën deri aty, saqë partia në rreth dhe pushteti lokal në qytetin Memaliaj, nuk morën parasysh se të gjithë pjesëtarët e kësaj familje ishin në moshë të rritur dhe i dënuan duke mos u dhënë të drejtë banimi në një apartament më të zgjeruar. Pra të destinuar ta shkatërronin plotësisht, duke i shmangur vetëm pushkatimin. Bashkëshortja e tij që të gjithë i thërrisnin nënë Rabushe, ka punuar me përkushtim një jetë të tërë si sanitare në ambientet e shkollave fillore dhe tetëvjeçare të qytetit Memaliaj. Më vonë, Namik Caushi kreu studimet e larta në Universitetin e Sporteve “Vojo Kushi” dhe pasi u kthye në Memaliaj, ka dhënë mësim në shkollën e këtij qyteti, por edhe nëpër shkolla të tjera të rrethit!
Krijon familje me tepelenasen, Dallandyshe Shehu, e cila jepte mësim në gjuhën e huaj frënge. Familja e tyre bëhet e madhe, me ardhjen në jetë edhe të tre djemve të tyre, Flijon, Edison dhe Blanduart.
Pas ndërrimit të sistemeve, në vitin 1996-të, emri i babait të tij, Karafil Asllan Caushi mori titullin “Mjeshtër Sporti” nga Federata e Futbollit, ndërsa nga Këshilli Bashkiak të qytetit Memaliajt, po këtë vit u vlerësua dhe u nderua për kontributet e tij, duke e pagëzuar stadiumin e qytetit me emrin e tij, “Karafil Asllan Caushi”. Në vitin 2007, u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Memaliajt”. Në vitin 2006-të, nga Qarku i Gjirokastrës, Prof. Karafil A. Caushi, u nderua me titullin, “Mësues i Shquar i Qarkut”.
Prof. Namik Caushi ndërroi jetë më 20 shtator të vitit 2019 dhe kujtohet me respekt të veçantë nga gjithë ish nxënësit dhe bashkëqytetarët e tij, për kontributin e tij në sport, mësimdhënie, art dhe si anëtar i Këshillit Bashkiak të Memaliajt, për disa vendimmarrje.
Në sportin e futbollit, ai mbahet mend si një lojtar me shumë talent, të cilin ia trashëgoi jo vetëm fëmijëve të tij, por edhe nxënësve që u jepte mësim, pa harruar se ai shquhej edhe në lojën e shahut dhe të bilardos. Në profesionin e tij si piktor dhe skulptor, ka dhuruar gjithashtu shumë punime jo vetëm për të afërmit, por edhe për publikun siç janë pamjet e para të themelimit të qytetit dhe busti i patriotit Sali Nivica, ku mbahej në katin e parë në hyrje të shkollës 8-vjeçare, të qytetit Memaliaj.
Për kontributin e tij si anëtar i Këshillit Bashkiak, përveç shumë të tjerave, më ka ngelur në mendje një mesazh që kam marr prej tij, pasi po i shkruaja se në qytetin tonë, po vlerësohen shumë memaliotë me titullin “Qytetar Nderi”, ku disa prej tyre edhe nuk e meritojnë (por kanë shfrytëzuar njohjet dhe miqësinë) nëse do i krahasojmë me shumë të tjerë, që këta të fundit edhe vetë bashkëqytetarët dhe koha nuk i harron! Mesazhin që mora prej tij është: “Mondi, përshëndetje! Mehdi Malka, Mujo Traga dhe Agron Llaka, janë bërë “Qytetar Nderi” vetëm me veton time, mbasi kryetarët e grupeve partiake mendonin se ata nuk kishin dhënë kontribut qytetar për Memaliajn, në atë masë që ta meritonin, si p.sh Prof. Spiro Kreci që krijoi edhe Fanfarën e qytetit, të cilën nuk e kanë shumë qytete më të medhenjë se Memaliaj apo tim atë, Karafil Caushi, i cili krijoi qysh në vitin 1947-ë ekipin e futbollit dhe së bashku me djemtë e tij, u dhuroi emqcione qytetareve dhe mbarë rrethit. Por unë ua argumentova klasin dhe potencialin e tyre, që do të ndihmonin dhe ngrinin lartë në rangë kombëtar, qytetarinë tepelenase. Dhe ata, pasi më dëgjuan, e respektuan mendimin tim, të cilin e miratuan më 22 dhjetor të vitit 2007.” Padyshim që këta janë personalitete që e meritojnë dhe falë ndërhyrjes së Prof. Namik Caushit, këta u vlerësuan dhe u pagëzuan me titullin e nderit për qytetin tonë.
Në vazhdim, kontributi i tij ka vazhduar edhe si koleksionist i gurëve me vlerë, jo vetëm nga ana dekorative, por edhe nga vlera e përbërjes së tyre, të cilat i gjente buzë lumit Vjosë. Shumë e mendonin si një investim me humbje kohe, por harronin që në zallin e Vjosës përreth qytetit, janë gjendur edhe gurë me përqindje diamanti, ku prisnin edhe xhamat të madhësive të ndryshme dhe një prej tyre është mësues Fiqo Goxharaj.
Të dy mësuesit e përkushtuar, Dallandyshe dhe Namik Caushi, rritën dhe edukuan tre djemtë e tyre të mrekullueshëm, të cilët u arsimuan dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre në fusha të ndryshme të jetës, ashtu siç kanë dhënë edhe stërgjyshërit, gjyshërit, prindërit dhe të afërmit e tyre. Djali i parë, Flijoni, pasi përfundoi “Akademinë Ushtarake Skënderbej” ka punuar disa vjet në artin ushtarak dhe duhet theksuar se ka marr pjesë në dy misione ushtarake; një në Avganistan dhe një në Irak. Gjithashtu, prej 5-vjetësh ka punuar si diplomat në Ukrainë me OSBE-në, por misioni është ndaluar prej disa kohësh, për shkak të konfliktit të këtij shteti me Rusinë. Djali i dytë, Edisoni, është diplomuar për Histori-Filologji dhe gazetari, i cili ka punuar si gazetar dhe redaktor, në disa media përfshi edhe kanale televizive. Ndërsa Blanduarti, ka përfunduar studimet për Agromjedis dhe master për të Drejtën Publike.
Jo vetëm familja e tij, por edhe ne si bashkëqytetarë të tij, jemi krenar për emrin dhe kontributin e Prof. Namik Caushit, i cili gëzonte respekt të veçantë nga të gjithë bashkëqytetarët dhe më gjerë!
Edmond Ismailati
Dhjetor 2022