Memaliotët shquhen për shpirtin e tyre krijues dhe përkushtimin, kudo që ata punojnë dhe jetojnë. Një prej tyre, është edhe Vladimir S. Shehu.
Ai u lind në Gjirokastër, më 17 Korrik të vitit 1954, në një familje me tradita atdhetare tepelenase, me prindër Merushe dhe Sadik Shehu. Në luftën e 1920-s, në Vlorë, ka luftuar gjyshi i tij, Estref Shehu, ndërsa babai i tij, Sadik Shehu, iu bashkua LANÇ-re, kur ishte 17-vjeç dhe u bë pjesë e Batalionit “Baba Abaz”. Gjyshi i tij nga nëna, Hysni Muçi, ishte një tregtar i vogël, që e ka dhënë kontributin e tij në lëvizjen kundër pushtuesve të huaj.
Vladimiri, arsimin fillor deri në atë të mesëm, e ka kryer në Memaliaj. Në vitet 1975-1978, kreu arsimin e lartë në Akademinë Sportive “Vojo Kushi”, në Tiranë, ku luajti futboll me ekipin e saj “Shkëndia”, që luate në Kategorinë e Parë. Së bashku me Vladimirin, tek ekipi “Shkëndisë”, luanin edhe lojtarë të tjerë të mirëjnjohur, si: Ilir Luarasi, Pandeli Sara, Bashkim Koka, Arben Burda, Dion Kushe, Polikron Sevo, Dashamir Bajaziti, Astrit Hafizi, Ferid Rragami, Sulejman Mema, Sulejman Starova, Ilir Meçe, Ilir Metani, Edmond Dizdari dhe Jovan Lala. Të gjithë këta futbollistë, kanë qenë brezi i dytë, që nxori ekipi i “Shkëndisë”, në atë kohë.
Vladimiri e ka filluar futbollin, në moshën 12-13 vjeçare (1967), në rrethana krejtë të natyrshme, në kohën kur luante futboll në fushën e shkollës, së bashku me bashkëmoshatarët dhe mësuesin e tyre të nderuar, Seit Dedën, i cili në ato vite jepte mësim në lëndën e biologjisë. Në atë kohë, mbriti njoftimi nga Federata Shqiptare e Futbollit, për krijimin e ekipit të të rinjve. Prof. Seit Deda, grumbulloi lojtarët më të mirë dhe formoi ekipin e të rinjëve, të cilët përfaqësuan “Minatorin”, në Kampionatin Kombëtar për të rinjtë. Ai luajti për dy vjet, nën drejtimin e trajnerit të tij të parë, Prof. Seit Deda dhe për një kohë të shkurtër, trajner i tij ka qenë edhe i mirënjohuri, Prof. Karafil Asllan Çaushi. Nga mosha 15 deri më 19 vjeç, ka luajtur me ekipin e të rriturve të “Minatorit” të Memaliajt, duke e filluar si lojtar rezervë dhe deri në kampionatin e viteve 1974-75, duke luajtur si titullar në rolin e qendëmbrojtësit të lirë dhe mbas mbarimit të këtij kampionati, u largua për të vazhduar studimet e larta në Akademinë Sportive.
Në vitin 1978, pasi mbaroi studimet e larta, kthehet në Tepelenë dhe fillon punë si mësues i edukimit fizik, në shkollën “Avdni Rustemi”.
Po këtë vit në Tepelenë, Prof. Valdimir S. Shehu, ishte iniciatori për hapjen e klasave sportive në dy sporte; në atë të futbollit dhe të basketbollit. Si mëssues me klasat sportive, ai punoi nga viti 1978-ë deri në vitin 1989-ë, ku nxori edhe shumë talente, të cilët më pas, luajtën me ekipin e të rriturve të Tepelenës. Me spartakiadat për klasat sportive për rajonit e jugut, që zhvilloheshin në qytetin e Sarandës, ka zënë dy herë, vendin e parë (1985-1986). Përgjatë kësaj kohe, ai punonte edhe si trajner pa pagesë, duke ngritur ekipin e të rinjve të qytetit dhe më pas si trajner e ekipit të të rriturve të Tepelenës, ekip ky që më vonë më vonë mori dhe emrin “Minatori” i Tepelenës, duke ja hequr këtë emër qytetit të Memaliajt, që e trashëgonte për vite me radhë, si qytet i minatorëve.
Për përkushtimin dhe kontributin e tij në edukimin fizik, është dekoruar dy herë si, “Mësuesi i Dalluar”, nga Ministria e Arsimit, për iniciativën e hapjes së palestrës dhe një herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të kohës, me Urdhrin “Naim Frashëri”, të klasit të tretë.
Si sportdashës, nga ekipet vendase pëlqente, ekipin e “Partizanit”; nga ekipet e huaja, atë të “Ajaksit” të Amsterdamit dhe nga përfaqësueset e huaja, atë gjermane, duke simpatizuar në mënyrë të veçantë, futbollistin e mirënjohur botërorë, Franz Beckenbauer, të cilit donte t’i ngjante dhe e imitonte edhe në lojë. Nisur nga këto, sportdashësit memaliotë, e pagëzuan me nofkën “Beke”.
Prof. Vladimir S. Shehu, ka vazhduar me studimet e tij, duke kryer master shkencor (kurs 1-vjeçar pasuniversitar), për trajner futbolli dhe një master tjetër shkencor të përgjithshëm për profesionin e mësuesit të edukimit fizik. Gjithashtu ka vazhduar studimet e thelluara dhe ka marrë dy master të tjera shkencorë, në Filozofi dhe Pedagogji. Në vitin 2009-ë, ka kryer edhe një kurs ndërkombëtar, për trajner për ekip femrash, duke u çertifikuar nga Blater. Me të kryer specializimin e fundit si trajner i femrave, zuri vendin e dytë në Kampionatin Kombëtar të Futbollit me ekipin e futbollit për femra, të quajtur “Memaliaj”. Fatkeqësisht ky ekip, u shkatërrua për mungesë fondesh.
Gjatë vitit të II-të dhe të III-të të shkollës së mesme, përveç si futbollist dhe si basketbollist, ka merr pjesë edhe në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së II-të, që zhvillohej gjatë verës në qytetin e Beratit. Gjithashtu ka marr pjesë dhe në jetën artistike të qytetit me Estradën e Memaliajt, krahas aktorëve të qytetit si, Muharrem Malkaj, Mehdi Malkaj, Eqerem Goga, Petro Mosko, Qejvan Maçi, Rako Laska, .. etj, të cilët nxorën një shfaqje shumë të suksesshme nën regjinë e Prof. Fatmir Meçes, e titulluar: “Alo, Alo… Kush je!” Kjo shfaqje ishte aq e arritur nga aktorët e trupës, saqë u shfaq disa herë në vitet 1973-74, jo vetëm për artdashësit memaliotë, por edhe për ata në qytetet si, Tepelena, Përmeti dhe Ballshi, ku korrën një sukses të pa pritur.
Prof. Vladimir S. Shehu, ka luajtur futboll në vitet 1967-80 dhe përveç kontributit të tij të veçantë si futbollist, ai ngelet edhe një ndër trajnerët më të formuar dhe inteligjent, pasi tek ai kanë ndikuar shumë edhe ish-trajnerët e tij si, Prof. Seit Deda, Prof. Karafil Asllani dhe Prof. Partizan Hila, të cilët i mësuan dhe i kultivuan dëshirën, korrektësinë, disiplinën, teknikën, harmoninë, dashurinë, respektin dhe zgjuarsinë në lojën e futbollit.
Në sajë të kontributit në sport, emri i tij, është një ndër personalitetet më të respektuara në rrethin e Tepelenës dhe kjo i bënë më krenar edhe memaliotët!
Edmond Ismailati
Dhjetor 2022