Ekonomi Profesorja e Harvardit, Claudia Goldin fiton Çmimin Nobel në Ekonomi

Profesorja e Harvardit, Claudia Goldin fiton Çmimin Nobel në Ekonomi

Çmimi Nobel për Ekonomi iu dha Claudia Goldin, një profesore në Universitetin e Harvardit, për avancimin e të kuptuarit të rezultateve të tregut të punës së grave.

Goldin është vetëm gruaja e tretë që fiton çmimin, i cili u shpall nga Hans Ellegren, sekretari i përgjithshëm i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, në Stokholm.

“Kuptimi i rolit të grave në tregun e punës është i rëndësishëm për shoqërinë. Falë kërkimit novator të Claudia Goldin, ne tani dimë shumë më tepër për faktorët themelorë dhe cilat barriera mund të kenë nevojë të adresohen në të ardhmen”, tha Jakob Svensson, kryetar i Komitetit për Çmimin në Shkenca Ekonomike.

Ky vlerësim pason çmimet në mjekësi, fizikë, kimi, letërsi dhe paqe që u shpallën javën e kaluar.

Çmimi i ekonomisë u krijua në vitin 1968 nga banka qendrore e Suedisë dhe njihet zyrtarisht si Çmimi i Bankës së Suedisë në Shkencat Ekonomike në kujtim të Alfred Nobelit.

Fituesit e vitit të kaluar ishin ish-kryetari i Rezervës Federale Ben Bernanke, Douglas W. Diamond dhe Philip Dybvig për kërkimet e tyre në dështimet e bankave që ndihmuan në formësimin e përgjigjes agresive të Amerikës ndaj krizës financiare 2007-2008.

Vetëm dy (tani tri) nga 92 laureatet e nderuara të ekonomisë kanë qenë gra.

Një javë më parë, hungaro-amerikanja Katalin Karikó dhe amerikani Drew Weissman fituan çmimin Nobel në mjekësi.

Çmimi i fizikës iu nda të martën fizikanes franceze-suedeze Anne L’Huillier, shkencëtarit francez Pierre Agostini dhe Ferenc Krausz me origjinë hungareze.

Shkencëtarët amerikanë Moungi Bawendi, Louis Brus dhe Alexei Ekimov fituan çmimin e kimisë të mërkurën.

Ata u pasuan nga shkrimtari norvegjez Jon Fosse, i cili u vlerësua me çmimin për letërsi. Dhe të premten, aktivistja iraniane e burgosur Narges Mohammadi fitoi çmimin e paqes.

Çmimet shpërndahen në ceremonitë e ndarjes së çmimeve në dhjetor në Oslo dhe Stokholm.

Ata kanë një çmim në para prej 11 milionë korona suedeze (rreth 1 milion dollarë). Fituesit marrin gjithashtu një medalje ari 18 karatësh dhe një diplomë.