Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku ka vlerësuar ndihmesën që Bashkimi Europian ka dhënë vazhdimisht për Shqipërinë, por shtoi se fajtorët për mos hapjen e negociatave duhet të gjenden brenda vendit.
Në mbledhjen e këtij komisioni ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE, Soreca, i cili dorëzoi raportin e Komisionit Europian, Tabaku renditi 9 pika të progres-raportit, që sipas saj përbëjnë shqetësim për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
“Por unë besoj që nëse e lexojmë korrekt këtë raport do të shohim që Shqipëria nuk është fshati Potemkin që na pikturohet nga qeveria. Nuk e kam pasur kurrë për kënaqësi të lexoj raporte ndërkombëtare që citojnë Shqipërinë me tregues të përkeqësuar, por ne duhet ta pranojmë të vërtetën dhe ta shohim në sy.
Unë pashë me shqetësim disa tregues të përkeqësuar dhe në këtë raport:
–Integrimi Europian nuk është ndër prioritetet e kësaj qeverie
–Transparencë e ulët në aktivitetin e qeverisë dhe kjo shoqëruar me kufizimin e lirisë se medias është problem real për Shqipërinë
–Shqetësime që lidhen me zgjedhjet dhe përdorimin e burimeve publike; dhe pandëshkueshmëria për krimet zgjedhore;
–Lexova me shqetësim raportin e WJP ku Shqipëria ka treguesit më të këqij në zbatim të ligjit nga 2015 dhe akoma nuk po shohim rezultate në drejtësinë e re.
–Ne ndërmorëm një reformë në drejtësi për të shmangur presionin mbi sistemin gjyqësor dhe të drejtësisë, por fatkeqësisht ende sot në raportet ndërkombëtare e gjejmë të përmendet.
–Korrupsioni, fatkeqësisht thotë raporti është i përhapur në të gjitha nivelet e jetës publike.
–Megjithëse opozita e madje edhe vetë personalisht kam dërguar dosje dhe raste të qarta korruptive në krijesën më të re të drejtësisë, SPAK, kemi vërejtur një heshtje deri në atrofizim të këtij institucioni për këto çështje që prekin temën e ditës edhe në BE; sundimin e ligjit dhe korrupsionin.
–Megjithëse problemi i pastrimit të parave qe një ëndërr e keqe për Shqipërinë prej më së paku 6 vitesh jemi rikthyer edhe një herë në hartë e zezë të monitorimit;
–Pak vite pasi Gjykata Europiane e Auditit deklaroi se 1 në 3 tendera jepen pa garë mjedisi dhe realiteti nuk ka ndryshuar. Konkurrenca nuk është rritur, proceset vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe procedurat vazhdojnë të jenë sa për sy e faqe.
Nuk mund të kem kënaqësi kur raporte të rëndësisë së lartë ndërkombëtare raportojnë se vendi jonë është në nivelin e kapjes së shtetit. Për mua është tejet problematike ku me ambasadorët e vendeve të BE, me gazetarë apo dhe me vetë z. Soreca kemi diskutuar mbi një tentativë të vazhdueshme të qeverisë për të privuar lirinë e mediave njësoj si në vendet me demokraci iliberale apo vendet autoritare. Ne besojmë se procesi i integrimit nuk është një formular ku plotësohen disa kërkesa sa për të kaluar radhën. Përkundrazi ky proces është një hartë e përmisimit të vazhdueshëm të demokracisë dhe mirëqenies së vendit jo vetëm ekonomikisht por edhe në kuadër të lirive dhe të drejtave të njeriut. Prandaj ndjej keqardhje që qeveria nuk e ka parë këtë si mundësi. Akoma më keqardhje ndjej kur qeveria nuk e konsideron si mundësi metodologjinë e re të ofruar nga Komisioni Europian”, u shpreh Jorida Tabaku.