Projeksionet e Institutit të Shëndetit Publik parashikojnë që kurba e të infektuarve me Covid-19 pritet të rritet sërish sapo të kalojnë festat.
Në një intervistë për Tv Klan, nëndrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku, thotë se ende nuk e kemi kaluar fazën e vështirë të pandemisë.
“Shpresojmë shumë që festat e fundvitit të mos ndryshojnë shumë parashikimet e bëra. Presim një lloj rritje të lehtë, ndoshta në fillim të Janarit, por nuk presim një boom rastesh”, tha ai.
Shkak sipas specialistëve është mosrespektimi i masave nga qytetarët.
“Padiskutim që ne bëjmë gjithë sensibilizim për mosgrumbullime, mosfestime, por që realiteti shpeshherë tregon ndryshe”, tha Ulqinaku.
Alarmin e ngritur në Britani për mutacionin e ri të Covid, ekspertët nuk e shohin me shqetësim në Shqipëri. Mjeku Dritan Ulqinaku thotë se mostrat e Covid do të dërgohen në Londër për analiza, pasi ky variacion nuk mund të kapet në laboratorin e ISHP.
“Ne një sasi të caktuara të mostrave të Covid që rezultojnë pozitiv këtu i transportojmë për Angli sepse aty bëhen analizimet e duhura. Nuk kemi arsye që ne të kemi një laborator të sigurisë apo sigurisë së 4 që kërkohet në këtë rast”.
Mutacioni i ri i Covid ka të njëjtat shenja klinike si Sars-Cov-2, por virusi përhapet shumë më shpejt.