Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin të dielën e ardhshme, sondazhi i katërt i MRB për Euronews Albania tregon se Partia Socialiste do të merrte 53% të votave në Qarkun e Fierit.
Partia Demokratike rezulton se ka 27.8% të votave dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me 3.7%. Pjesa tjetër e votuesve është e ndarë në 5% për parti të tjera, 5.6% thonë se nuk do të votonin, 4.2% janë ende të pavendosur kurse 0.7% refuzojnë të japin një përgjigje.
Në Qarkun e Fierit, diferenca mes PS dhe PD është 25.2%, ndërsa elektorat i pavendosur ende janë 10.5% e votuesve. Në krahasim me rezultatin e sondazhit në nivel kombëtar, PS ka një rritje prej gati 12%, ndërsa PD ka rënie me 3%. Rënie ka edhe LSI pasi nga 7.6% në rang kombëtar në Fier rezulton me 3.7%.
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, rezultati do të ishte ky:
PS – 53%
PD – 27.8%
LSI – 3.7%
Ndarja e mandateve:
PS – 11 mandate
PD – 5 mandate
Në krahasim me ndarjen e mandateve të zgjedhjeve të fundit, rezulton se PS dhe PD i kanë marrë nga një mandat LSI pasi ndarja ishte PS 10 mandate, PD 4 dhe LSI 2 mandate.
Si pritet të ndahen mandatet në Elbasan
Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin të dielën, Partia Socialiste do të rezultonte forcë e parë në qarkun e Elbasanit duke marrë shumicën e mandateve.
Sondazhi i MRB-së për Euronews Albania tregoi se shumica e qytetarëve në qarkun e Elbasanit kanë prirje të votojnë PS-në:
PS – 44.8%
PD – 36.4%
LSI – 5.3%
Të tjera – 3.9%
Të pavendosur – 9.6%
Krahasuar me prirjen e rangut kombëtar, në qarkun e Elbasanit vihet re një ulje (nga 7.6%) të votave drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe rritje drejt të dyja forcave kryesore PS dhe PD.
Sipas projeksionit të MRB, duke marrë në analizë edhe votat e të pavendosurve, LSI duket se do ta ketë të vështirë të marrë një mandat në Elbasan:
PS – 7-8 mandate
PD – 5-6 mandate
LSI – 0-1 mandat
Sipas projeksioneve dhe listave, mandati në garë është ai i Taulant Ballës që është i 8-i për PS dhe Monika Kryemadhit që është e para për LSI.
Dimitris Mavros, drejtor i MRB tha se bëhet fjalë për një numër të vogël votash që do të përcaktojë se kush do ta marrë mandatin.
Kjo situatë sipas tij do të bëjë që LSI të jetë e “detyruar që të mbrojë ata njerëz që po shkojnë drejt PD” dhe pikërisht këtu, shtoi ai mund të “dalin probleme të brendshme në bashkëpunimin LSI-PD”.
Metodologjia
Sondazhi mori në analizë 870 të intervistuar, 415 prej të cilëve në Elbasan dhe 455 në Fier. Intervistat ballë për ballë u realizuan në zona urbane dhe rurale në periudhën 19 mars-28 mars.