Projekti gjigant i Kanalit të Stambollit është kthyer në mollë sherri në Turqi. Kreu i Bashkisë më të madhe në vend e kundërshtoi projektin që shmang Bosforin duke e cilësuar si fatkeqësi për Stambollin.
“Është një projekt kriminal. Kjo rrezikon jetën e miliona qytetarëve pasi do të ndërtohet në zonën më aktive për tërmete në qytet. Ky projekt është një tradhti për Stambollin. Nëse ky projekt do të realizohet Stambolli do të humbasë të gjitha veçoritë e tij historike dhe natyrore”.
Por nga ana tjetër presidenti turk Rexhep Taip Erdogan është i vendosur ta çojë në fund projektin e ndërtuar që kur ai ka drejtuar bashkinë më të madhe në vend. Sipas tij gjithçka do të jetë gati brenda 6 apo 7 vitesh.
“Ekipet tona kanë pothuajse gjithçka gati dhe shumë shpejt do të hapet tenderi. Nëse nuk do të mundemi ta ndërtojmë me partneritet publik privat do të realizohet plotësisht me para nga buxheti i shtetit. Perëndimi ka dalë kundër këtij projekti sepse nuk e durojnë dot një mrekulli të tillë. Duan apo nuk duan të tjerët ne do ta bëjmë këtë projekt dhe besoj se do të jetë gati për 7 vjet”.
Kanali i Stambollit pritet të ofrojë lehtësime për trafikun detar të anijeve midis Detit të Zi dhe Detit Marmara, në veçanti trafikun e cisternave nëpër Bosfor. Kanali 45 kilometra i gjatë do të ndërtohet pjesën perëndimore evropiane të qytetit dhe pritet të rrisë kapacitetin ditor deri në 160 anije.