Fondi Evropian për Evropën Juglindore, EFSE Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Vendeve të Ulta, dhe Rabo Partnerships kanë bërë bilancin e 7 viteve bashkëpunimi në kuadrin e një programi të partneritetit publik-privat (PPP) në një Konferencë me titull: “Financa e qëndrueshme gjithëpërfshirëse në Shqipëri, Historia e transformimit të mikrofinances fedinvest-it”, e cila u mbajt në Tiranë të marten, me pjesëmarrjen e partnerëve EFSE, Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta, FED invest, Rabo Partnerships, rregullatorëve (Banka e Shqipërisë dhe ASD), akademisë si dhe donatorëve. Në Konferencë morën pjesë edhe institucione simotra mikrofinance nga Bosnje dhe Hercegovina (MI-BOSPO PARTNER MIKROFIN) dhe Kosova (KEP, AgroDev).
Konferenca shpalosi arritjen e këtij partneriteti që synonte rritjen e përfshirjes financiare dhe forcimin e zinxhirit të vlerave në sektorin e bujqësisë nëpërmjet zgjerimit të produkteve dhe shërbimeve të reja – duke mundësuar ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore dhe zhvillimin e aftësive të reja dixhitale në institucionin mikrofinanciar, si pjesë e misionit të tij për t’i shërbyer ekonomisë rurale të Shqipërisë.
Programi e ka transformuar mikrofinancën në ofruesin kryesor në Shqipëri të financave rurale të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Me mbi 94 mijë anëtarë dhe mbi 60 degë rurale dhe urbane në mbarë vendin, fed ka mbështetur me financime mijëra sipërmarrje të vogla dhe të mesme dhe në zonat urbane dhe semi-urbane. Falë mbështetjes së gjithanshme nga ekspertiza, konsulenca dhe financimet e partnerëve në Projekt, mikrofinanca është transformuar në një ofrues modern të shërbimeve dhe përfshirjes financiare, një lider në financimin e bujqësisë dhe te zonave rurale. Ajo përfaqëson sot kooperativën financiare më të madhe në vend, me një strategji të qartë, sisteme moderne të IT-së, qeverisje të shëndoshë korporatave, bazë të gjerë e të diversifikuar anëtarësh, menaxhim operacional dhe financiar efikas, korniza bashkëkohore të menaxhimit të rrezikut dhe kapitalizmi solid. Ky partneritet ka fuqizuar klientët në të gjithë Shqipërinë, ka rritur transparencën dhe nivelin e shërbimit ndaj anëtarësisë, ka fuqizuar imazhin korporativ, duke nxitur prosperitetin dhe zhvillimin rural.
Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Shkëlqesia e tij, z. Reinout Vos, theksoi se, “Mbretëria e Vendeve të Ulëta është e lumtur të mbështesë këtë projekt, duke mundësuar fuqizimin e fermerëve dhe sipërmarrjeve në zonat rurale”.
Zj. Zana Konini, Kryetare e Këshillit Drejtues të FED invest gjatë fjalës së hapjes se, “Fed përfaqëson, jo vetëm kooperativën financiare më të madhe në vend me mbi 90 mijë anëtarë, por dhe një institucion modern në të gjitha aspektet e qeverisjes dhe praktikave të punës, të specializuar në financimin e bujqësisë dhe agrobiznesit, me një ofertë unike shërbimesh financiare, por dhe të asistencës së biznesit Agri, nëpërmjet qendrës ABA dhe platformës digjitale ABA online. Në këtë konferencë gjendemi në vendin, kohën dhe me partnerët e duhur për të diskutuar dhe për të marrë përgjegjësitë tona për avancimin e mëtejshëm të financave dhe bujqësisë së qëndrueshme në vend”.
Jacob Ole Nestingen, menaxher pranë Finance in Motion, EFSE DF u shpreh se, “ndër vite kemi punuar nga afër me këtë institucion mikrofinanciar për të mbështetur bizneset e vogla në Shqipëri. Ky institucion punon ngushtë me sipërmarrjet, kryesisht në zonat rurale, duke u mundësuar atyre financim, por edhe duke i mbështetur ato në rritje dhe zhvillim”.
Rabo Partnerships, pjesë e Rabobank, Hollandë, bankë lider global në sektorin Agri dhe të Ushqimit, ishteofruesi i ekspertizës në këtë projekt. Duke reflektuar mbi projektin, z. Bjorn Schrijver, Drejtor i Projektit, vlerësoi punën e përpjekjet e mikrofinances për energjinë, përkushtimin dhe guximin për të modernizuar sistemet dhe strukturat e tyre të brendshme – një proces shumë kompleks – për të zhvilluar produkte dhe shërbime të përshtatshme për segmentet e pa shërbyera të industrisë së shërbimeve financiare në Shqipëri. “Projekti me institucionin mikrofinanciar ishte energjik dhe i guximshëm falë ekipit që e mundësoi këtë ndryshim. Organizata trajton çdo sfidë që i del përpara dhe madje ka realizuar me sukses një iniciativë të sektorit publik dhe privat, së bashku me Bankën Qendrore të Shqipërisë, të mbështetur nga Banka Botërore, duke përditësuar ligjin shqiptar të kooperativave financiare, për të forcuar strukturën e sistemit kooperativë në Shqipëri, përvojë që shërbeu si shembull për kooperativat në tërësi në vendet e Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë.
Perlat Sulaj, Administrator i FED invest, nënvizoi se “gjatë kohëzgjatjes së këtij projekti ne kemi financuar rreth 200 milionë euro, gjysma e të cilave ka shkuar për aktivitete të lidhura kryesisht me bujqësinë, blegtorinë, agroturizmin dhe zonat rurale. Numri i anëtarëve është rritur 2.5 herë që nga fillimi i projektit, duke arritur në gati 94 mijë anëtarë. Krahas kredive kemi ofruar një gamë të gjerë të produkteve si depozita, llogari rrjedhëse, produktet e pagesave utilitare etj. Hapa të rëndësishëm u hodhën drejt dixhitalizimit të shërbimeve, me futjen e shërbimit te fed online, kredisë online 24 ore, fed fin, nismës “Gruaja në FED”, si dhe pagesat nëpërmjet portofoli dixhital, KlikoPago, të shoqëruara me programe të edukimit financiar e dixhital.
Me një vështrim mbi të ardhmen e bujqësisë së Shqipërisë, disa ekspertë të fushës ndanë pikëpamjet e tyre mbi rëndësinë krijimit të një sektori të qëndrueshëm bujqësor.
Corné de Louw, Menaxher i Lartë i Projektit në Rabo Partnerships theksoi rëndësinë e pasjes së një qasjeje afatgjatë për të gjithë ekosistemin: “Skemat e inputit të lartë – produktivitetit të lartë nuk janë gjithmonë pika e argjendtë. Për shembull, në Holandë ne përjetojmë efektet negative klimatike të prodhimit të lartë në industrinë tonë të qumështit, gjë që ka një efekt të rëndësishëm në shoqërinë tonë. Gjithashtu, për të mbjellat, efekti i pesticideve dhe plehrave është i rëndësishëm për t’u marrë parasysh për të mbajtur tokë të shëndetshme dhe pjellore. Për më tepër, z. de Louw sugjeron që të shikohet përtej bujqësisë, si më poshtë në zinxhirin e furnizimit ashtu edhe në humbjet pas vjeljes, për të optimizuar efikasitetin dhe qëndrueshmërinë në sistemet ushqimore. Një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin të gjitha palët e interesuara dhe bashkon nevojat për shërbime financiare të atyre palëve të interesuara mund të bëjë një ndryshim. “Bashkëpunimi është kyç. Kjo është arsyeja pse jam i emocionuar që kemi të gjithë partnerët së bashku këtu në këtë skenë sot”.