Ekonomi Projekti i Porto Romanos nis me zvarritje, shkelet afati për çeljen e...

Projekti i Porto Romanos nis me zvarritje, shkelet afati për çeljen e garës ndërkombëtare

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk e ka çelur ende garën ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, ndonëse premtoi se procedura do të hapej në fund të muajit janar. Projekti i prezantuar me bujë në dhjetor 2022, ka nisur me zvarritje dhe tejkalime afatesh. Autoriteti Portual i Durrësit thotë se gara pritet të shpallet javët në vijim, pasi grupet e punës janë ende duke vlerësuar praktikën juridike dhe financiare të saj. Ndërsa ministria përgjegjëse, nuk ka asnjë shpjegim mbi vonesat që po shoqërojnë projektin e portit të ri tregtar në Porto Romano.

Esmeralda Topi – Faktoje.al

“Në fund të janarit 2023, sipas gjithë punës që po bëjmë me Eric Smit dhe me Royal Haskoning ne do të jemi të gatshëm për të lançuar garën ndërkombëtare, e cila do të jetë e hapur për të gjitha kompanitë që kanë treguar një interes të veçantë.” – deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku më 12 dhjetor të vitit të kaluar, gjatë prezantimit të projektit të portit të ri në Porto Romano.

Edhe drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit, Pirro Vëngu, në një dalje televizive në mesin e muajit janar konfirmoi të njëjtin skenar të deklaruar më herët nga Balluku.

“Skenari ideal, në javët në vijim pritet që të çelet gara ndërkombëtare, synojmë që të mbyllim negocimin e kontratës, idealisht sipas të gjitha parashikimeve ligjore dhe shpalljen e fituesit apo konsorciumit fitues, siç është zakonisht në këto raste brenda fundit të gjashtë mujorit të parë, fillimit të gjashtë mujorit të dytë, me synimin që gjashtë mujori i dytë të jetë dhe fillimi i punimeve.” – shprehej Vëngu.

Në pritje të garës ndërkombëtare për Porto Romanon

Nga verifikimet e bëra, rezulton se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk e ka çelur ende garën ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, ndonëse afati i premtuar publikisht është shkelur me dy muaj.

I vetmi zhvillim konkret për këtë projekt deri më tani është një takim konsultativ që qeveria ka bërë më 2 shkurt, me kompani dhe institucione ndërkombëtare të interesuara për ndërtimin e Porto Romanos.

Sipas njoftimeve të bëra publike nga Agjencia për Media dhe Informim, Ministria e Infrastrukturës dhe Autoriteti Portual i Durrësit, asnjë prej përfaqësuesve të qeverisë nuk ka dhënë ndonjë shpjegim mbi vonesat në hapjen e garës ndërkombëtare për Porto Romanon.

“Numri i shumtë i vizitorëve tregon interesin e madh për këtë projekt dhe ne kemi vendosur që këtë projekt ta ndërtojmë në një bazë transparence, duke nisur nga përzgjedhja e konsulentit tonë, e cila u bë me një garë ndërkombëtare dhe kështu të gjitha hapat në vazhdim.”- tha Belinda Balluku gjatë takimit në fillim të shkurtit.

Si e justifikojnë vonesën autoritetet?

Në fillim të muajit mars, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Autoritetit Portual të Durrësit.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, ne nuk morëm një përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës ndaj jemi në proces ankimimi për informacionin e kërkuar.

Ndërsa Autoriteti Portual i Durrësit në përgjigjen zyrtare për Faktoje thotë se gara pritet të shpallet javët në vijim, pasi grupet e punës janë ende duke vlerësuar praktikën juridike dhe financiare të saj.

“Në vijim të takimit prezantues me palët e interesuara dhe marrjes së lejes zhvillimore, konsulentët ndërkombëtarë janë duke finalizuar Projektin teknik. Ndërkohë që grupet e punës pranë Autoritetit Portual Durrës, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, po vlerësojnë të gjithë praktikën juridike dhe financiare në përputhje me parashikimet ligjore, për të vijuar më tej me shpalljen e garës ndërkombëtare në javët në vijim.”– argumenton, Autoriteti Portual i Durrësit.

Nëse gara ndërkombëtare për portin e ri në Porto Romano do të ishte hapur në fund të muajit janar, fituesi planifikohej të shpallej në korrik. Sikurse u paralajmërua më herët nga një artikull i Faktoje, kjo është zvarritja e parë e projektit, që sipas inxhinierit të porteve Tomorr Spahiu do të jetë një ‘mision i pamundur’.

“Do të ndodhë ajo që ndodhi me Portin e Karpenit. Qeveria miratoi dhënien me koncension të këtij porti në 2016, u bë një vit propagandë e madhe. Propozimi i tyre ishte pa një lloj baze, asnjë studim. Dhe ndërkohë propaganda dilte dhe thoshte që Karpeni do konkurronte edhe Roterdamin. Dhe çuditërisht që nga ajo kohë, asnjë nuk ‘cicëron‘ më. Po e njëjta gjë po ndodh edhe me këtë të famshmen Marina Jaht të Durrësit dhe Portin e ri Tregtar të Porto Romanos. Jam shumë i bindur që edhe kjo do sfumohet. Siç e shihni, edhe ata vetë brenda javës thonë njëherë që do ta financojmë me paratë tona, njëherë me koncesion.”- u shpreh Spahiu.