Agjencia për Efiçencën e Energjisë ka prezantuar projektin pilot “Smart Road Tirana”, projekt inovativ në fushën e efiçencës së energjisë. Projekti përfshinë furnizimin elektrik të makinave dhe ndërhyrjen në sistemin e ndriçimit rrugor në segmentin “Pallati me Shigjeta, kryqëzimi me shkollën Vasil Shanto”.
“Kjo rrugë do të jetë rruga e parë autosufiçente, në të cilën energjia e nevojshme për të mbuluar ndriçimin dhe karikimin e makinave elektrike me karikuesët e vendosur përgjatë këtij aksi, do të prodhohet tërësisht nga sistemet inovative të prodhimit të energjisë sē rinovueshme”, thuhet në postimin e publikuar në faqen e Agjencisë për Eficencën e Energjisë në rrjetin social Facebook.
Në videon, e cila shoqëron këtë postim, theksohet se zëvendësimi i 460 ndriçuesve tradicional me ndriçues smart LED do të kursente 359 mijë kWh energji në vit, ndërsa kullat ultras fast charge për automjetet elektrike do ët shmangin emetimet e gazrave CO2 me 853 mijë kg/vit.
Pas Tiranës, projekti do të shtrihet edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Burimet alternative të energjisë mund të mbulojnë mbi 31% të konsumit vjetor të ndriçimit publik dhe karikimit të automjeteve elektrike.