Shqetësimi, se përse FMN-ja kërkon që koncesionet të regjistrohen si borxh, lidhet me programin e rindërtimit që kryeministri Edi Rama shpalli në fillim të këtij viti.
Sipas këtij programi, qeveria parashikon të financojë një sërë projektesh publike, përmes kapitalit privat në formën e koncesioneve. Fillimisht, qeveria pati deklaruar se programi parashikon të investojë një miliard euro, por zyrtarisht ende nuk ka një shifër të saktë.
Por cilat janë veprat që do të ndërtohen me koncesion? Projekti më i madh është Rruga e Arbrit. Rruga parashikohet të kushtojë 250 milionë euro dhe ndërtimi i saj pritet të fillojë së shpejti.
Investimi i dytë më i madh është rruga Tiranë-Thumanë-Vorë. Ky aks pritet të kushtojë rreth 170 milionë euro dhe do të ndërtohet po me të njëjtën skemë, përmes partneritetit publik-privat.
Pjesë e paketës së investimeve të paralajmëruar nga kryeministri Rama është edhe përfundimi i “Unazës së Madhe” të Tiranës, në segmentin nga Uzina e Autotraktorëve deri te “Shqiponja”, e më tej ndërtimi i një mbikalimi në Rrugën e Kavajës. Ky investim parashikohet të kushtojë mbi 120 milionë euro.
Një pjesë shumë e rëndësishme e paketës janë akset bregdetare. Ndër segmentet kryesore, që do të ndërtohen përmes kësaj skeme, janë rrugët Kardhiq-Sarandë dhe ajo Orikum-Himarë.
Por investimet nuk do të prekin vetëm rrugët. Në 3 vitet e ardhshme do të financohen dhjetëra projekte në zonat turistike të vendit, do të ndërtohen mbi 50 shkolla, si dhe disa spitale e qendra shëndetësore.