Projekti për Parkun e Butrintit në Sarandë është rikthyer sërish në qendër të diskutimeve në Parlamentin e Shqipërisë, ku deputetja demokrate Ina Zhupa zhvilloi interpelancë me ministren e Kulturës Elva Margariti për menaxhimin e Butrintit.
Ministrja Margariti u shpreh se brenda Parkut Kombëtar të Butrintit nuk do të ketë asnjë ndërtim të tipit hotele apo kulla.
Investimi për Butrinti do të jetë 7.5 milionë dollarë, theksoi ministrja e Kulturës.
“Fondacioni funksionon sipas ligjit të OJF-ve shqiptare, pra pasi i tillë është një fondacion jo fitimprurës duke hedhur poshtë kështu çdo akuzë ose alibi ose pikëpyetje e ngritur ende mbi të ardhurat e Butrintit se ku do të shkojnë dhe si do të tjetërsohen. Çdo qindarkë e Butrintit do të vazhdojë dhe do të mbetet në Butrint. Investimet që vijnë nga kjo marrëveshje e re e planit të biznesit që parashikon një investim total prej rreth 7.5 milionë Dollarësh, ku 5 milionë Dollarë tashmë janë dhënë në formën e marrëveshjes së grantit nga partneri ynë strategjik dhe 2 milionë të tjera janë të garantuara nga arka e Parkut të Butrintit të mbledhura këto në një periudhë pothuajse 10-vjeçare.
Të gjithë ata që shohin ëndrra me kulla, me hotele do të vazhdojmë t’ju përsërisim që nuk do të ketë asnjë ndërtim të këtij lloji në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe do të parashikohet patjetër ngritja e një qendre vizitorësh dinjitoze larg nga hyrja aktuale, rreth 1.5 kilometra është parashikuar dhe është identifikuar një zonë e përshtatshme pikërisht që të mund të kemi një hyrje dinjitoze në një park kombëtar ashtu siç ekziston në shumë vende të tjera të botës pasuri botërore”, deklaroi ministrja e Kulturës Elva Margariti.