Kryeministri Edi Rama thotë se projekti për Portin e ri të Durrësit do të miratohet në Parlament dhe se mezi pret që të hyjë në fuqi marrëveshja për këtë investim të huaj.
Gjatë fjalës së tij në Parlament ku prezantoi këtë projekt, kreu i qeverisë shqiptare e konsideron portin aktual të Durrësit si “skandal mjedisor” dhe “zonë kancerogjene”.
“Një port si në Mesjetë ku tregtohet krom, ku lulëzojnë sipërfaqet ndryshkut dhe ku kalben mjetet e vdekura lundruese, ku shtrohen mijëra metra katrorë ferra dhe ndryshqe. Kur dëgjon ju dhe shikon këtë pamje e kupton pse ju jeni të shqetësuar, ju jeni fiks si këto. Një port ku vinçat e kohës së Adem Rekës e kanë kaluar me kohë edhe moshën e pensionit. Ky port është një skandal mjedisor, një plagë urbane nga e cila rrjedh pisllëk prej dekadash. Kjo zonë e mbetur kancerogjene është ndërfaqja e sotme e asaj zonës tjetër të deridjeshme të qytetit të dytë më të madh të vendit tonë, atij malit me plehra dhe me derra. Me shumë padurim dhe gëzim po numëroj orët deri sa të votohet marrëveshja për investimin më të madh të huaj në historinë e vendit tonë. Ky investim do ta kthejë portin e vjetër të Durrësit nga një platformë e zezë si surrati i gjithë atyre që përndjekin Shqipërinë në një prej porteve më të madh turistike të Mesdheut. Kjo është edhe dita për t’ju dhënë disa përgjigje zëdhënësve të rinj të një mallkimi, një lloj poshtërsie të vjetër”.
Investimi i parashikuar të bëhet nga kompania e huaj e Alabbar, nëse nuk zbatohet sipas kontratës, do t’i kalojë i gjithë shtetit, theksoi Rama, pa asnjë tarifë shtesë.
“Ndërkohë që në një 10-vjeçar do të jetë një motor ekonomik me 8 miliardë Euro në Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërkohë që do ngrejë peshë vlerën e Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Ngrihen me tam-tame gagaxhopullot. Për herë të parë në një kontratë publike është garantuar imuniteti i pronës publike. Gjithashtu kontrata parashikon se në rast moszbatimi të parashikimeve të saj shkohet deri në marrjen e gjithçkaje që ka zhvilluar deri në atë moment me 0 pagesë nga shteti dhe nuk ka asnjë kolateral, të pronës shtet për financimin e projektit, gjë që sipas investitorit është hera e parë që nuk ju lejohet. Këto janë vetëm disa nga detajet e një kontrate për të cilën ne jemi shumë krenarë që ja sjellim për votim këtij Kuvendi”.