Ekonomi Projekti “Rrugë të bardha”, Balluku: Fokusi tek zonat rurale, janë 10-15 mijë...

Projekti “Rrugë të bardha”, Balluku: Fokusi tek zonat rurale, janë 10-15 mijë kilometra rrugë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi këtë të enjte nga afër programin “Rrugë të bardha”.

Në prezantimin e këtij projekti, Balluku shoqërohej edhe nga drejtori i FSHZH, Dritan Agolli.

Gjatë fjalës së saj, Balluku deklaroi se fokus i këtij projekti janë zonat rurale dhe theksoi se në vlerësimin paraprak janë 10-15 mijë kilometra rrugë.

Sipas saj, brenda 7 viteve me këtë ndërhyrje do të bëhen minimalisht 5 mijë kilometra rrugë të bardha.

“Jemi këtu për një projekt shumë interesant, i cili do ti japë frymëmarrje zhvillimit rural dhe sidomos bashkive atyre që nuk kanë shumë mundësi ekonomike dhe kanë buxhete të reduktuara. Duke e nisur me një analizë të nevojave që ne kemi në rang vendi në çdo territor, çdo bashki dhe siç thamë bëhet fjalë për rrugë të cilat janë konsideruar si jo vizibël përsa i përket numrit të banorëve që kanë apo zhvillimit ekonomik të zonës. Pra ne duke i identifikuar dhe duke i grupuar pastaj sipas prioriteteve do të bëjmë një punë që do të ketë një bazë analize.

Unë e kam nga eksperienca personale duke u dashur për shkak të detyrës që lëvizin në të gjithë Shqipërinë, ka bashki të vogla por të cilat kanë një zhvillim ekonomik të rëndësishëm vitet e fundit, siç mund të jenë rastet e bashkive që kanë zhvillim bujqësor ora kë një nxitje të bujqësisë në zona, ka ka bashkim operatorësh bujqësor, ka një produkt i cili mund të eksportohet, pra ka marrë një rëndësi rruga jo vetëm për të aksesuar shtëpinë, apo për të aksesuar qendrën e fshatit, por edhe për zhvillimin ekonomik. Dhe nga ana tjetër ka bashki sërish të vogla që kanë filluar të kenë një rëndësi të veçantë turistike”, tha Balluku.

Balluku nënvizon se ky projekt do të ndikojë në zhvillimin e zonave rurale duke nxitur dhe progresin ekonomik.

“Nga ana tjetër ku është një cikël i cili ne duke i dhënë mundësi këtyre bashkive të vogla ose bashkive pa të ardhura të konsiderueshme që ti ndërtojmë këtë rrjet fundit, sepse praktikisht ky është rrjeti fundor rural, i cili ka mbetur për shkak të prioriteteve që qeveria dhe pushteti vendor kanë pasur, këtu do të krijohen mundësia e vetë bashkisë për të gjeneruar të ardhura, sepse duke i mbyllur le të themi këtë rrjet fundor përmes programit të rrugëve të bardha, pra me atë lloj instrumenti sigurisht këto bashki do të marrin një hov ekonomik, qoftë ky bujqësor, qoftë ky i turizmit, agroturizimit, i turizmit historik etj, duke e bërë kështu që bashkia të gjenerojë të ardhura, duke i rritur kapacitetet financiare dhe duke i bërë ata që të ndërhynë dhe vetë në të ardhmen”, theksoi ajo.