Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump përballet me 37 akuza penale, mes së cilave për “mbajtje të paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara” dhe “konspiracion për të penguar drejtësinë” pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, sipas dokumenteve të gjykatës federale të bëra publike të premten.
Departamenti i Drejtësisë i bëri publike dokumentet e aktpadisë, në një ditë kur dy nga avokatët e zotit Trump dhanë dorëheqjen. Edhe një ish ndihmës i zotit Trump përballet me akuza. Akuzat janë të lidhura me dokumentat e ndjeshme qeveritare që zoti Trump mori me vete në Mar-a-Lago kur u largua nga Shtëpia e Bardhë në janar 2021.
Sipas aktakuzës, mes dokumenteve ishin disa nga sekretet më të ndjeshme ushtarake amerikane, përfshirë informacion mbi programin bërthamor të SHBA-së dhe pikat e dobëta të mundshme brenda vendit në rast të një sulmi.
Një nga dokumentet fliste për mbështetjen e terrorizmit nga një vend i huaj kundër interesave të SHBA-së. Materialet vinin nga Pentagoni, CIA, Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe agjenci të tjera të zbulimit, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, zoti Trump i tregoi një personi tjetër një dokument të Departamentit të Mbrojtjes të cilësuar si një “plan sulmi” kundër një vendi tjetër.
Po ashtu në aktakuzë thuhet se zoti Trump kishte ndarë me persona të tjerë një hartë të klasifikuar në lidhje me një operacion ushtarak. Ish-presidenti Trump tha të enjten se është i pafajshëm. Atij do t’i paraqiten zyrtarisht akuzat të martën e ardhshme kur të paraqitet në gjykatë.
PROKURORI I POSAÇËM JACK SMITH: LIGJI ËSHTË I BARABARTË PËR TË GJITHË
Prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith, i cili ngriti akuzat ndaj ish presidentit Donald Trump tha në deklaratën e tij të parë publike pas aktakuzës se “ligjet e vendit janë të barabarta për të gjithë”.
Zoti Smith zhvilloi të premten, një konferencë të shkurtër me gazetarët në Uashington, por nuk pranoi që t’i bëheshin pyetje.
“Respektimi i shtetit të së drejtës, sundimi i ligjit, është parim themelor i Departamentit të së Drejtësisë dhe angazhimi i kombit tonë për sundimin e ligjit është një shembull për të gjithë botën”, tha ai.
Ai tha se çdo individ i vënë nën akuzë, konsiderohet i pafajshëm deri në momentin që i provohet fajësia dhe se prokurorët do të kërkojnë një proces gjyqësor të shpejtë dhe se “mezi prisnin” që të paraqisnin rastin e tyre.
Zoti Trump pritet të dalë për herë të parë para gjykatës, për këtë çështje, në një gjykatë të Majemit, në Florida, të martën e ardhshme, një ditë para se të festojë 77-vjetorin.
Ja disa nga detajet e aktpadisë:
ISH-PRESIDENTI TRUMP MBAJTI DOKUMENTE TË KLASIFIKUARA NË TUALET DHE NË DUSHET E KLUBIT PRIVAT NË FLORIDA
Aktpadia ngre dyshimet se ish-presidenti Trump mbajti dokumentet e klasifikuara në tualet dhe në dushet e klubit privat në Florida, si edhe në ambiente të tjera si në sallën e vallëzimit, në një dhomë për mbajtjen e dokumenteve, në zyrë dhe në dhomën e gjumit.
Prokurorët vunë në dukje se dhjetëra mijëra persona vizituan klubin social në Mar-a-Lago, në periudhën mes fundit të Presidencës së zotit Trump në janar të 2021 deri në gusht të vitit 2022 kur FBI-ja kreu kontroll në rezidencën e tij.
Ata pretendojnë se pavarësisht këtij fakti, zoti Trump mbajti dokumentet e klasifikuara “në sallën e vallëzimit, në tualet, në dush, në dhomën e magazinimit, në zyrë dhe në dhomën e tij të gjumit”.
Pjesë e aktpadisë është edhe një fotografi ku duken kuti që janë vendosur njëra pas tjetrës në qendër të sallës së vallëzimit.
Aktakuza përmban gjithashtu fotografi të kutive të vendosura në dhomën e magazinimit, duke përfshirë një dokument të shënuar SECRET/REL TO USA, FVEY” që do të thotë informacion që mund t’u jepet vetëm anëtarëve të shërbimeve inteligjente të Australisë, Kanadasë, Zelandës së Re, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Në foto dokumenti i klasifikuar është redaktuar.
AVOKATI THOTË SE ZOTI TRUMP SUGJEROI HEQJEN E DOKUMENTAVE QË MUND TË ISHIN TË DËMSHME
Sipas aktakuzës, avokati i zotit Trump, i cili nuk kishte dijeni për transferimin e dokumenteve, më 2 qershor 2022, identifikoi 38 dokumente të shënuara si “të klasifikuara” dhe i futi ato në një dosje, të cilën e mbështolli me një shirit ngjitës të pastër që ia kishte dhënë ndihmësi i ish-presidentit, Walt Nauta. Ky i fundit më pas mori avokatin që të takohej me ish presidentin.
“A gjete ndonjë gjë? Është gjë e mirë? Është e keqe?”, e pyeti zoti Trump avokatin e tij.
Avokati u tha autoriteteve federale se ai bisedoi me zotin Trump mbi dosjen me dokumente të klasifikuara dhe për mënyrën se si duhej vepruar me to. Avokati tha se ndërsa biseduan që avokati t’i merrte me vete dokumentet, zoti Trump bëri gjeste që sugjeronin se ai donte që avokati të identifikonte “çdo gjë që mund të ishte vërtet e keqe” dhe “e ke parasysh vetë, hiqe”. Avokati qartësoi se zoti Trump nuk artikuloi udhëzime të tjera përveçse veprimit që nënkuptonte “heqje të faqeve të dokumenteve”.
Avokati u tha autoriteteve se ai nuk hoqi asnjë dokument nga dosja, por në vend të kësaj, ai u vu menjëherë në kontakt me FBI-ë dhe një avokat tjetër të zotit Trump. Në 3 qershor, sipas aktpadisë, edhe avokati i dytë i zotit Trump ia ktheu dokumentet FBI-së.
NDIHMËSI I ISH-PRESIDENTIT TRUMP ZHVENDOSI KUTI ME DOKUMENTA NËN UDHËZIMIN E TIJ
Sipas aktakuzës, zoti Nauta veproi “nën udhëzimin” e zotit Trump” duke zhvendosur “rreth 64 kuti” me dokumente nga një ambient në një tjetër brenda rezidencës së tij në Mar-a-Lago.
Ai i bëri këto zhvendosje në periudhën 23 maj – 2 qershor 2022, sipas aktakuzës. 30 nga këto kuti dyshohet të jenë zhvendosur më 2 qershor, ditë kur ekipi ligjor i zotit Trump pritej të analizonte dokumentet.
Zoti Nauta i lëvizi kutitë disa orë pasi kishte folur shkurtimisht në telefon me zotin Trump, sipas prokurorëve. As zoti Trump dhe as ndihmësi i tij Nauta, sipas aktakuzës, nuk u treguan avokatëve të ish-presidentit se zoti Nauta kishte hequr dokumente nga dhoma ku ato ruheshin më parë.
Sipas kronologjisë së ndërtuar nga prokurorët, zoti Trump u takua më vonë atë ditë me një nga avokatët e tij dhe zoti Nauta e shoqëroi avokatin në dhomën e ruajtjes së dokumenteve, nga ku ishin hequr ndërkohë 64 kuti me dokumente.
SIPAS AKTAKUZËS ZOTI TRUMP U KISHTE TREGUAR DOKUMENTE PERSONAVE TË TJERË
Aktakuza e bërë publike të premten detajon dy raste kur zoti Trump dyshohet se ua tregoi dokumentet personave të tjerë. Në një nga rastet, në një takim me një shkrimtar në klubin e tij të Golfit në Bedminster, New Jersey, ai përshkroi një “plani sulmi” që zyrtarët federalë kishin përgatitur për të dhe që sipas njoftimeve të mëparshme të medias ishte një dokument i Pentagonit për një plan për të goditur Iranin.
Gjatë bisedës ai mendohet se e ka pranuar se e dinte që informacioni “ishte ende sekret”.
Në një takim të mëvonshëm, ai i tregoi përfaqësuesit të një komiteti në mbështetje të ambicieve të tij politike, “një hartë të klasifikuar në lidhje me një operacion ushtarak”. Ai kishte pohuar se “nuk duhet t’ia tregonte atë personit dhe se personi nuk duhej të afrohej shumë,” thanë prokurorët.
Prokurorët vënë gjithashtu në dukje se si zoti Trump, në një konferencë për shtyp kur ishte president në vitin 2017, foli për rrjedhje mediatike dhe tha se nxjerrja e informacionit të klasifikuar është “një proces i paligjshëm” dhe se njerëzve të përfshirë “duhet t’u vijë turp nga vetja”./VOA