Prokurori Anton Martini ka reaguar pas shkarkimit ditën e djeshme nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA).
Sipas tij, ai ishte i përgatitur për këtë vendim, sepse kishte “të gjithë të dhënat e nevojshme që po punohej fort dhe në mënyrë të kamufluar kundër meje”.
“Me këtë, nuk dua ta mbivlerësoj për asnjë moment veten time, më besoni. Dje, shteti im më “pushkatoi” mua dhe familjen time, në mënyrë krejt të padrejtë e të pabesë, shtet për të cilin, prej 23 vitesh punova shumë, shumë fort, duke u munduar te ruaj e të mos cënoj për asnjë moment besimin ndaj qytetareve të mi. Dje, faktori ndërkombëtar dështoi të monitorojë procesin kompleks ndaj meje, rol të cilin parlamentarët e vendit tim, j`ua besuan nëpërmjet dispozitave kushtetuese. Jam sigurisht i mërzitur nga vendimi i djeshëm, por pavarësisht kësaj, dua që sot, të falenderoj çdo mik dhe bashkëpunëtor timin, që kam pasur ndër vite, me të cilët kemi ndarë orët e gjata dhe netët pa gjumë, për të punuar që ky vend të behej më i sigurtë. Falenderoj nga zemra çdo qytetar që më ka mbështetur me fjalë e komente gjatë kësaj periudhe, të cilët kanë besuar te parimet që unë mbroj”, shkruan Martini në rrjetet sociale.
Prokurori i shkarkuar shtoi se do të vijojë betejën ligjore: “Beteja ime ligjore do vazhdojë, me shpresë, që e drejta e cënuar, të vihet në vend. Duke e përfunduar këtë përshendetje me plot emocion nga unë, dua ta mbyll me një pasazh nga një bashkëbisedim që pata mbrëmë në orët e vona, me një mikun tim të ardhur nga larg në shenjë solidariteti me familjen time në këto momente, i cili më pyeti; “këta që të kanë rënë në qafë ty dhe fëmijëve te tu, si mund t’i zëjë gjumi të qetë”? – e si përgjigje nga unë, mori një shprehje biblike e cila mu kujtua në çast; ”Fali o Zot se nuk dinë çfarë bëjnë”.