Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, William Barr, tha të martën se Departamenti i Drejtësisë nuk ka gjetur prova për mashtrim të gjerë të votuesve që do të ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Komentet e tij vijnë megjithë pretendimet e përsëritura të Presidentit Donald Trump se zgjedhjet janë vjedhur dhe refuzimin e tij për të pranuar humbjen ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press, zoti Barr tha se prokurorët e SHBA-së dhe agjentët e FBI-së kanë punuar për të analizuar ankesat specifike dhe informacionin që kanë marrë, por nuk kanë zbuluar asnjë provë që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve.
“Deri më sot, ne nuk kemi parë mashtrim në një shkallë që mund të kishte ndikuar në një rezultat të ndryshëm zgjedhor,” tha zoti Barr.
Komentet marrin kuptim të veçantë sidomos sepse bëhen drejtpërdrejt nga Prokurori i Përgjithshëm, i cili ka qenë një nga aleatët më të flaktë të presidentit. Para zgjedhjeve, zoti Barr kishte hedhur në mënyrë të përsëritur idenë se votat me postë mund të ishin veçanërisht të ekspozuara ndaj mashtrimeve.
Avokati i zotit Trump, Rudi Giuliani, reagoi duke e kritikuar zotin Barr se dështoi sipas tij të hetonte siç duhej provat për mashtrim në zgjedhje.
“Me gjithë respektin për Prokurorin e Përgjithshëm, Departamenti i Drejtësisë nuk ka bërë asnjë përpjekje për të hetuar, qoftë edhe në dukje”, tha zoti Juliani, ish-prokuror federal dhe kolegia e tij Jenna Ellis në një deklaratë të përbashkët.
Muajin e kaluar, zoti Barr lëshoi një direktivë për prokurorët amerikanë në të gjithë vendin duke i lejuar ata të ndiqnin çdo “pretendim thelbësor” për parregullsi votimi, nëse ekzistonin, para çertifikimit të zgjedhjeve, edhe pse nuk kishte ndonjë provë për mashtrim të përhapur. Kjo direktivë u jepte prokurorëve mundësinë për të anashkaluar politikën tradicionale të Departamentit të Drejtësisë, e cila normalisht ndalon veprime të tilla të hapura para çertifikimit të zgjedhjeve. Menjëherë pas lëshimit të memorandumit, zyrtari më i lartë për krimet në këtë departament njoftoi dorëheqjen.
Ekipi i fushatës së zotit Trump, i drejtuar nga Rudy Giuliani, ka ngritur pa asnjë provë aludime për një komplot të gjerë të demokratëve për të hedhur miliona vota të paligjshme në sistem. Ata kanë ngritur padi të shumta gjyqësore në shtetet fushë-betejë, duke pretenduar se vëzhguesit partiakë të zgjedhjeve nuk ishin në gjendje të shihnin qartë procesin e numërimit dhe se për këtë arsye duhet të kishte ndodhur diçka e paligjshme. Pretendimet janë hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur nga gjyqtarët, edhe nga gjyqtarë të emëruar nga presidentë republikanë, të cilët kanë deklaruar se prova të tilla nuk ekzistojnë.
Republikanë të niveleve lokale në disa shtete i kanë shkuar pas zotit Trump, duke hedhur pretendime të ngjashme të pambështetura në prova.
Vetë Presidenti Trump i ka hedhur poshtë si të manipuluara zgjedhjet me anë të komenteve në Twitter apo në intervista, megjithëse administrata e tij ka thënë se zgjedhjet e vitit 2020 ishin më të sigurtat e zhvilluara ndonjëherë.