Aktualitet Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet ndaj Fatjon Muratit dhe i sekuestron pasuritë

Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet ndaj Fatjon Muratit dhe i sekuestron pasuritë

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për Fatjon Muratin. Ky i fundit akuzohet për një sërë veprash penale, që nga pjesëmarrja në një organizatë kriminale e deri te trafikimi i drogës.

Prokuroria thotë se Murati në periudhën 2014-2015 është marrë me trafik lëndësh narkotike në Itali dhe me paratë e fituara ka investuar në Shqipëri.

Sipas Prokurorisë, në pronat e sekuestruara përfshihen disa automjete, apartament, njësi kati nëntokë me objekt 6 katësh.

Ai i ka vënë pasuritë në emër të nënës dhe vëllezërve të tij.

Bazuar në hetimet e kryera, rezulton se ai ka qenë pjesë e një organizate kriminale në Itali, bashkë me 6 persona të tjerë. Por nuk mbaron me kaq.

Fatjon Murati ishte shpallur në kërkim në 2021-in për “posedim armësh” dhe “pjesëmarrje në krime”.

Vlen të theksohet se në lokalin e tij u vra banakierja Mimoza Paja dhe u plagosën dy të tjerë gjatë një atentati më 12 Mars 2023. Mësohet se në shënjestër të autorëve ishte Sahit Murati, xhaxhai i Fatjon Muratit, i dyshuar si vrasës me pagesë.