Prokuroria jep pretencën për dosjen “Babale”: 18 muaj burg për Salianjin
Prokuroria ka dhënë sot pretencën për Ervin Salianjin, Albert Veliun dhe Fredi Alizotin, të cilët i akuzon për “kallëzim të rremë” të kryer në bashkëpunim.
Kështu, për Ervin Salianjin është kërkuar dënim me 1 vit e 6 muaj burg nga prokurori Kolë Hysenaj, ndërsa nga prokurori tjetër, Genci Qana, u kërkua pezullimi i dënimit dhe konvertimi në shërbim prove për 3 vite.
Për Jetmir Olldashin u kërkua dënimi me 1 vit burgim, të konvertuar në punë me interes publik për 200 orë.
Për Albert Veliun, të akuzuar për “kallëzim të rremë” dhe për “kalim të paligjshëm te kufirit” është kërkuar dënim me 3 vite e 6 muaj burgim, ndërsa për Fredi Alizotin 3 vite burg.
Gjatë prezantimit të pretencës, prokurorët thanë se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë prodhuar një provë të rreme me qëllim krijimin e dyshimit se Agron Xhafaj ishte i përfshirë në trafikun e narkotikëve.
“Ervin Salianji i ka premtuar Veliut një shumë prej 200 mijë euro nëse i sillte prova që përfshinin Geron Xhafajn. Në 24.10.17 Jetmir Olldashi ka shkuar në Vlorë me Veliun. Veliu ka shkuar te lokali i Geronit, por nuk ka mundur ta takojë. Më vonë ata kanë dalë në disa fshatra të Vlorës. Ndonëse janë kthyer ata nuk kanë mundur ta takojnë.
Veliu në marrëveshje me Salianjin ka shkuar te zyra e Besim Hajdarmatajt (prokuror te Krimet e Rënda), ku ka pretenduar se kishte dijeni për një rrugë trafikimi droge. Hajdarmataj ka marrë kontakt me SHISH dhe punonjësit e tij i kanë dhënë një përgjues Veliut.
Kanë shkuar në Vlorë, por Albert Veliu nuk ka mundur të kontaktojë apo të regjistrojë ndonjë takim me Geron Xhafajn. Në rrethanat kur nuk është mundur të krijohet ndonjë regjistrim komprometues, Veliu ka kontaktuar Alizotin, duke i thënë që nëse aktronte zërin e Xhafajt do merrte gjysmën e 200 mije eurove. Më vonë, Alizoti pranoi dhe realizuan përgjimin në një bar përballe atij të Geron Xhafajt në Vlorë”
Ndërsa pas ekspertimit të kryer me audio-përgjimin, Prokuroria ka dalë në përfundimin se “te biseda e parë, dëgjohet vetëm zëri i bashkëpunëtorit dhe jo Agron Xhafajt. Ndërsa ka dyshime se biseda e dytë, ose është e prerë nga një bisedë më e gjatë, ose nuk është e plotë. Sipas ekspertes, zëri i pretenduar si i Agron Xhafajt, nuk është zëri i tij”.
Reagon Salianji
Pasi Prokuroria e Tiranës lexoi pretencën e saj ku kërkoi dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin e PD-së, Ervin Salianji, ky i fundit reagoi përmes një deklarate për shtyp.
“Sulmet ndaj meje janë politike. Në gjasme pretence prokuroria bëhet pjesë me llumin. Asnjë pabesi nuk e mposht dot të drejtën. Prokuroria politike lexoi fiks atë që tha kryeministrin. Pala që përfaqësonte Xhafajn kishte të njëjtin qëndrim me prokurorinë. Prokuroria nuk mori parasysh asnjë provë që ne kemi paraqitur. Kjo nuk është drejtësia e re, janë prokurorë të drejtësisë së vjetër. Dënimi im është kërkuar që në momentin kur kam bërë publik rastin”, tha ndër të tjera Salianji.