Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar burgim të përjetshëm për Fadil Kasemin, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij Fildes Hafizi.
Organi i akuzës ka kërkuar gjithashtu që Kasemi dënimin ta vuajë në një burg të sigurisë së lartë. Ngjarja ka ndodhur më 31 Gusht 2017 në zonën e Xhamllikut në Tiranë, kur ish-gjyqtarja Hafizi u qëllua me armë sapo u fut në makinën e saj.
53-vjeçari iu afrua pranë dritares së mjetit dhe e qëlloi nga afër me pistoletë në kokë.
Në seancat e mëparshme gjyqësore, Fadil Kasemi ka treguar se ishte njohur me të ndjerën në fund të vitit 2000, në kohën kur ishte kthyer nga emigrimi.
Kasemi ka rrëfyer se ka investuar për shkollimin dhe punësimin e ish-bashkëshortes, ndërsa për 15 vite ka paguar edhe qiranë e banesës së prindërve të saj. Ndërsa problemet e para në çift nisën më 13 Shkurt të 2015.