Pistoleta e gjetur rreth 100 metra larg vendit ku mbeti i vrarë Klodian Rasha ka detyruar Prokurorinë e Tiranës të kërkojë ndihmën e ekspertëve të huaj. Deri më tani hetuesit nuk kanë siguruar gjurmë të vlefshme që mund të çonte në identifikimin e personave që mund ta kenë hedhur armën në një pellg me ujë në zonën ku mbeti i vrarë i riu.
Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se, gjatë këtyre ditëve është zhvilluar një takim mes grupit hetimor dhe ekspertëve gjermanë që asistojnë pranë policisë shqiptare për ecurinë e hetimeve.
Gjithashtu mësohet se nuk përjashtohet mundësia që pistoleta të dërgohet në një laborator të huaj për ekzaminime më të detajuara. Ndërkohë prokuroria po verifikon pamjet e kamerave të sigurisë për të parë nëse arma është hedhur aty nga ndonjë person, apo është lënë qëllimisht nga dikush pas ngjarjes.
Arma e zjarrit tip mini Glow u gjet në orët e para të 8 dhjetorit, ndërsa pas verifikimit të gjurmëve të gishtërinjve rezulton se ajo nuk I përket as viktimës as efektivit të shqiponjave Nevaldo Hajdaraj.