Hetimet 3-vjeçare të prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi e mbyllën rrethin e të akuzuarve me ish-zv.ministrin Klodian Rrjepaj dhe anëtarët e komisionit, por gjyqtari Erion Bani arsyeton se ka indicie që ish-ministri Ilir Beqaj paracaktoi fituesit, nuk ndaloi konfliktin e interesit dhe bëri udhëtime me përfituesit e koncesionit – ç’ka sipas tij ngre dyshime edhe për veprat penale të korrupsionit.
Nga Aleksandra Bogdani dhe Klodiana Lala – BIRN
Tre dekada më parë, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj ishin dy shokë klase dhe studentë të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë. Ata u takuan sërish në Tiranë njëzet vjet më vonë; i pari si zv.ministër i Shëndetësisë dhe i dyti si sipërmarrës i vogël në Itali, i cili e quante veten një “promotor biznesi”.
Rrapaj u kthye në vendlindje në nëntor 2013 për të marrë pjesë në nismën “Thuaji po Shqipërisë” – një takim me mjekë të diasporës – dhe pozoi përkrah kryeministrit Edi Rama, ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe mikut të tij të vjetër, Klodian Rrjepaj.
Më pas, Rrapaj u shfaq në një seri takimesh zyrtare në Umbria të Italisë në vitet 2013-2014 përkrah ministrit Beqaj dhe zv.ministrit Rrjepaj, të trumbetuara në media si “bashkëpunime ndërkombëtare”, por që sipas një vendimi të Gjykatës së Posaçme, qëllimi i vërtetë ishte përgatitja e një koncesioni për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale në favor të biznesmenit Rrapaj.
Koncesioni i sterilizimit është kontrata më e shtrenjtë e partneritetit publik privat e qeverisë ‘Rama’ në sektorin e shëndetësisë, e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022.
Pasi hetoi për 3 vjet, Prokuroria e Posaçme, SPAK, kërkoi në gjykatë arrestimin e ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj dhe masa më të buta sigurie për gjashtë anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit.
Emri i Ilir Beqjajt mungonte në kërkesën e SPAK, por pasi shqyrtoi provat, gjyqtari Erion Bani i Gjykatës së Posaçme çmoi se shkeljet e akteve ligjore dhe nënligjore ngrihen në nivelin e përgjegjësisë penale për ish-ministrin e Shëndetësisë.
Ai vlerësoi gjithashtu se hetimet ishin të paplota dhe ndjekja penale duhet të zgjerohej edhe ndaj ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe katër anëtarëve të Komisionit të Prokurimeve Publike, KPP, që kishin rrëzuar më parë një ankesë ndaj fituesve.
Sipas vendimit, shkeljet e ligjit në procedurat e dhënies së koncesionit ishin bërë me “qëllimin e vetëm për shpalljen fitues” të kompanive që u përkasin Ilir Rrapajt dhe ortakut të tij italian, Umbro Staccini.
Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij.
Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.
Gjykata çmon gjithashtu se dy prokurorët e çështjes, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi kanë qenë dorështrënguar edhe me veprat penale; ndërsa vlerëson se ka indicie të mjaftueshme për të hetuar për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
“Nga ana e prokurorisë duhet të bëhet një hetim i plotë dhe i gjithanshëm në këtë drejtim, fakt i cili nuk rezulton nga fashikulli hetimor,” arsyeton gjyqtari Bani, i cili sugjeron se “për këtë nevojitet hetim pasuror”.
Provat kundër ish-ministrit Beqaj
Në shkurt të vitit 2014, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mori një kërkesë nga drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu – sot ministre e Shëndetësisë, për të vënë në punë një qendër moderne sterilizimi që flinte prej vitesh në spitalin e ri të urgjencës, por kërkesa mbeti pa përgjigje.
Kapaciteti i qendrës së sterilizimit mbulonte rreth 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit nga 50 mijë që raportoheshin se ishin kryer në vitin 2013, por nuk ishte vënë në punë për shkak se nevojitej trajnimi i stafit mbështetës.
Por edhe pse u vu në dijeni për investimin e kryer, ministri Beqaj i hapi dritën jeshile vazhdimit me procedurat e koncesionit. Sipas një auditi të mëvonshëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit, qendra publike e sterilizimit parashikohej të funksiononte me 96 milionë lekë në vit ose gati 5 herë më pak nga vlera prej 558 milionë lekësh që kompania koncesionare faturoi në vitin 2016 për të njëjtin shërbim.
Sipas Gjykatës së Posaçme, Beqaj nuk mori asnjë masë për vënien në punë të qendrës së sterilizimit, pasi e kishte marrë paraprakisht vendimin për dhënien e shërbimit me koncesion.
“Nga analiza e të gjithë provave të para në unitetin e tyre, gjykata çmon se ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në bashkëpunim me personin në hetim, Klodian Rrjepaj e kishin marrë vendimin e dhënies së shërbimit të sterilizimit me koncesion dhe kishin përzgjedhur paraprakisht se kush do ta fitonte këtë koncesion…,” arsyeton gjyqtari Bani, duke shtuar se fituesit e paracaktuar ishin Ilir Rrapaj dhe shtetasi Italian Umbro Staccini.
Sipas dosjes, Beqaj ishte në dijeni të marrëdhënies së ngushtë miqësore mes zëvendësit të tij dhe Rrapajt si dhe të përfshirjes së këtij të fundit në përgatitjen e studimit të fizibilitetit, që i hapi më pas rrugën fitores së tij.
Nga sekuestrimi i postës elektronike të Rrjepajt, hetuesit veçojnë dy emaile të dërguara nga Ilir Rrapaj në shkurt dhe mars të vitit 2014, përmes së cilave i dërgon dy studime të universitetit të Peruxhias, që u përfshinë më pas në studimin e fizibilitetit.
“I dashur Fra’! Ky është teksti që të paralajmërova, për të cilin Vanesa më shkruante. Hidhi një sy dhe na çoni haber. Shpresoj të të ketë lëshuar sadopak dhimbja e veshit tanimë,” i shkruante Rrapaj zv.ministrit Rrjepaj.
Në të njëjtën ditë, më 17 mars 2014, zv.ministri ia pason emailin shefit të tij, Ilir Beqaj në emailin zyrtar dhe atë privat.
Gjithashtu brenda një jave në qershor 2014, Rrapaj dhe ortaku i tij italian kanë ardhur në Tiranë dhe janë kthyer në Itali, ndërsa dy krerët e Ministrisë së Shëndetësisë, Beqaj dhe Rrjepaj kanë udhëtuar gjithashtu drejt Italisë.
Më 15 qershor 2014, Beqaj, Rrjepaj dhe Rrapaj janë kthyer së bashku në Tiranë nga Roma me të njëjtën linjë avioni.
“Vetëm një muaj pas udhëtimit me avion, Rrapaj krijon në Prishtinë shoqërinë Investital, e cila do të bëhej më pas fituese me 40% e koncesionit. Kjo kompani u themelua gjithashtu vetëm një muaj përpara se të dilte urdhri i Ministrit të Shëndetësisë “Për ngritjen e komisionit të dhënies së koncesionit” dhe ka pasur vetëm një të punësuar, Ilir Rrapajn,” thuhet në vendim.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu komunikime dhe udhëtime të përbashkëta të ministrit Beqaj me përfituesit pas dhënies së koncesionit, që sipas gjyqtarit Bani duhej të përbënin indicie për hetime të mëtejshme në drejtim të veprës penale të korrupsionit.
Më 25 shtator 2016, ish-ministri Beqaj dhe administratori i kompanisë koncesionare, Admir Daca kanë udhëtuar me të njëjtin avion të “Austrian Airlines” drejt Vjenës, ndërsa më 23 maj 2017, Beqja dhe Rrjepaj janë kthyer në Shqipëri nga Roma me të njëjtin avion me Ilir Rrapajn dhe Umbro Staccini.
Udhëtimi i fundit në dosje është identifikuar më 13 mars 2018, kur Beqaj, Rrjepaj, Rrapaj dhe Staccini kthehen me të njëjtën makinë nga dogana e Morinit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Falsifikimi i kostove
Përveç paracaktimit të fituesve dhe përfshirjes së tyre në përgatitjen e studimit të fizibilitetit, Gjykata e Posaçme argumenton në vendim se kostot e procesit të sterilizimit janë fryrë në mënyrë artificiale, për ta prezantuar koncesionin si një procedurë më të favorshme se sa prokurimi publik.
Në llogaritjen e kostove të shërbimit janë përfshirë edhe shpenzime për medikamente mjekësore, të cilat i kanë fryrë shifrat me 56%. Gjithashtu, gjykata vlerëson se në studimin e fizibilitetit është ulur qëllimisht numri i ndërhyrjeve të parashikuara nga 63 mijë në 50 mijë operacione në vit, duke sjellë si pasojë rritjen e çmimeve për secilin nga intensitetet e ndërhyrjeve në pasqyrat financiare.
Mungesa e verifikimit të të dhënave në studimin e fizibilitetit nga Ministria e Financave është një nga arsyet se pse gjyqtari Bani e ka orientuar prokurorinë drejt hetimit të rolit të ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani.
Në nëntor të vitit 2014, Cani refuzoi të jepte dakordësinë për koncesionin me arsyetimin se “nuk ka argumentim të qartë pse dhënia me koncesion është procedurë më e favorshme se sa prokurimi publik”. Gjithashtu, ai kërkoi që analiza krahasuese duhej të kryhej në mënyrë të qartë dhe të dallueshme për secilin shërbim të planifikuar për t’u dhënë me koncesion.
Por një muaj e gjysmë më vonë, Cani e miratoi në parim propozimin për financim, ndonëse nuk pati asnjë ndryshim në studimin e fizibilitetit.
“Po ashtu, mbetet e paqartë përgjigja e Ministrisë së Financave lidhur me faktin se ajo e shikon dokumentacionin vetëm nga pikëpamja formale. Nëse kjo e fundit e shikon dokumentacionin vetëm nga pikëpamja formale, a mund të konsiderohet formalisht në rregull një dokument i panënshkruar,” ngre pikëpyetje gjyqtari Bani, duke iu referuar faktit se studimi i fizibilitetit nuk ishte i firmosur nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit.
Pas një séance pyetjesh në Prokurori të enjten, Cani u tha gazetarëve se e kishte dhënë miratimin pasi ishin plotësuar kriteret ligjore dhe mohoi të kishte njohje me biznesmenin Ilir Rrapaj, ndërsa ish-ministri Ilir Beqja nuk iu përgjigj një kërkese për koment të BIRN.
Në vendimin prej 348 faqesh, hetimet e SPAK vihen në pikëpyetje edhe sa i përket veprave penale të regjistruara apo mungesës së hetimit pasuror, për të cilat gjyqtari i orienton prokurorët që t’i vazhdojnë hetimet.
Sipas Banit, nga aktet e administruara ka indicie të mjaftueshme që Prokuroria e Posaçme të vazhdojë hetimet edhe për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv si dhe ato të pastrimit të produkteve të veprës penale.
“Kjo do të provojë nëse e gjithë veprimtaria kriminale e paramenduar në detaje nga personat në hetim është bërë thjesht për shkak të marrëdhënieve të ngushta të personave nën hetim, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj si dhe për shkak të njohjeve personale të këtij shtetasi… me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj apo për rrjedhojë të përfitimit të parregullt që rrjedh nga korrupsioni i zyrtarëve që kanë marrë pjesë në këtë procedurë,” përfundon Bani në vendim.