Prona me vlerë 3 milionë euro në pronësi të një 31-vjeçari nga Peqini janë sekuestruar nga policia me vendim të Apelit të GJKKO.
31-vjeçari me iniciale E.Sh. është person me precedent penal në Britani të Madhe, Holandë dhe Shqipëri.
Në Mbretërinë e Bashkuar ai është dënuar për trafikim të lëndëve të forta narkotike dhe për mbajtje të armëve ofensive. Në Amsterdam të Holandës është arrestuar për trafikim të narkotikëve, si dhe është dënuar në Shqipëri për mbajtje pa leje të armeve luftarake dhe falsifikim të dokumenteve.
Konkretisht, 31-vjeçarit i janë sekuestruar 45 mijë metra katrorë tokë në Gjilek të Himarës, 1 apartament me sipërfaqe 130 m2 në Tiranë, 2 garazhe me sipërfaqe 230 m2 në Tiranë, 1 vilë dykatëshe me sipërfaqe 500 m2 në Peqin dhe 1 apartament me sipërfaqe 111 m2 në Kryevidh, Kavajë.
Gjatë kësaj jave, në Elbasan u sekuestruan edhe pasuri me vlerë 400 000 euro, në pronësi të një 34-vjeçari të dënuar me 13 vjet burgim në Norvegji, si pjesëtar i një grupi kriminal për trafikim të narkotikëve.