Katër adoleshentë, të gjithë të moshës 15-vjeçare janë arrestuar si autorë të dyshuar të dy grabitjeve të ndodhura në rrethin e Hasit. Nga hetimet ka rezultuar se R. M., L. M., O. V. dhe E. V. kanë grabitur me 30 janar me thyerje një lokal në fshatin Helshan. Dy ditë më vonë, më 1 shkurt, në po të njëjtin fshat ata kanë tentuar të vjedhin me thyerje një dyqan.
Mirëpo, të rinjtë janë parë nga pronari S.Sh, i cili i ka qëlluar me armë zjarri. Për pasojë janë plagosur dy prej të miturve, të cilët janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në përfundim të veprimeve hetimore, policia ka arrestuar pronarin për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Ndërkohë u procedua në gjendje të lirë shtetasi I. M., për veprën penale “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe u sekuestrua një karikator me 27 fishekë.
Uniformat blu kanë sekuestruar gjatë operacionit një automjet i markës “Volkswagen” i përdorur nga autorët, 4 aparate celulare, një armë gjahu çifte në pronësi të shtetasi S. Sh., si dhe një karikator me 27 fishekë.
Policia njofton se do të vijojë punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë me grupin e adoleshentëve.