Ligji për liritë fetare në Mal të Zi bëhet shkas për sherr edhe në Parlamentin e Serbisë. Ligjvënësit e opozitës u konfrontuan fizikisht me ata të qeverisë, ndërsa protestuan brenda ne sallë me fyerje të shumta.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, doli i matur në media pavarësisht se kjo nxiti tension edhe në Beograd.
“Shpreh brengosjen tonë dhe shpresën që tempujt serb do të ruhen dhe që me mundësitë tona diplomatike duke parë të drejtat tona dhe obligimet, duke mos rrënuar të drejtën e një shteti tjetër, që të ndihmojmë shtetin dhe kishën”, tha Vuçiç
Lideri opozitar, Boshko Obradoviç, thotë se ligji ka për qëllim të dëmtojë Kishën Ortodokse Serbe, ndërsa mbante në dorë një pankartë në të cilën shkruante: “Vuçiç dhe Gjukanoviç janë vëllezër binjakë”.
Ndërkohë, ligji i ri i Malit të Zi detyron komunitetet fetare që të vërtetojnë pronësitë e tokave përpara vitit 1918, kur ky shtet iu bashkua Jugosllavisë. Aprovimi i tij, u shoqërua me kaos, dhunë dhe fyerje në parlamentin malazez, ku 3 deputetë të opozitës u arrestuan.