Urdhri për mbylljen e shkollave, kopshteve dhe çerdheve për një periudhë dyjavore, si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit, ka vënë në vështirësi shumë prindër, të cilët, nëse nuk kanë alternativa të tjera, vihen përpara zgjedhjes: të shkojnë në punë apo të rrinë në shtëpi e të kujdesen për fëmijët.
Në këtë situatë, kreu i PD-së, Lulzim Basha, propozon që shteti të favorizojë njërin nga prindërit.
Me anë të një statusi në ‘Facebook’, Basha thotë se shteti duhet të kompensojë me vlerë të plotë një nga prindërit që është në marrëdhënie pune, pasi duhet të qëndrojë me fëmijët në shtëpi.
“Pas vendimit për mbylljen e shkollave, kopshteve dhe çerdheve, duhet që shteti të paguajë apo kompensojë me vlerë të plotë një nga prindërit në marrëdhënie pune që duhet të kujdeset për fëmijët e vegjël gjatë kohës që çerdhet, kopshtet dhe shkollat qëndrojnë të mbyllura”, shkruan Basha në ‘Twitter’.