Në kohën e pandemisë globale, ku futbolli po bën çdo përpjekje për mbijetesë, vijnë edhe propozime interesante për t’i shpëtuar një falimentimi të mundshëm.
E fundit vjen nga Spanja dhe më saktësisht nga ishujt Kanaries. Shoqata Hoteliere “Santa Cruz de Tenerife”, i ka dërguar një letër Ligës dhe Federatës Spanjolle, duke ftuar institucionet që qeverisin dhe organizojnë Ligën Spanjolle të marrin në konsideratë idenë e bërjes të asaj që ka mbetur nga kampionati, por edhe nga kategoria e dytë në ishull.
Në ishujt Kanaries, me 15 milionë vizitorë në vitin 2019, industria e turizmit aktualisht nuk është aktive. Kërkesa e tyre bazohet në shkallën e ulët të përhapjes së koronavirusit, ku deri tani kanë vetëm 91 viktima dhe mbi 1700 të prekur. Ata theksojnë se ishulli ka infrastrukturë të përshtatshme për të organizuar ndeshjet, gjithsesi me dyer të mbyllura.
Ideja është e ngjashme me atë që iu propozuar NBA-së ditë më parë, për të organizuar ndeshjet e basketbollit amerikan në Bahams, ose Las Vegas. Por sipas mediave spanjolle, ftesa do të refuzohet nga institucionet e futbollit në vend.