Bashkimi Europian pritet të mbyllë të gjithë kufijtë e zonës Schengen, si masë ekstreme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Shtetet europiane mësohet se kanë diskutuar këtë të hënë idenë e vendosjes së ndalimit të lëvizjes së lirë në 26 vendet Schengen, që do të ndalonte të gjitha vizitat jo të domosdoshme nga vendet e treta, me përjashtim të qytetarëve të zonave Schengen dhe atyre që udhëtojnë për punë.
Ky propozim u njoftua nëpërmjet një postimi në Twitter nga Presidentja e Komisionit të Bashkimit Europian, Ursula von der Leyen.
Sipas saj, ndalimi i lëvizjes së përkohshme në zonën Schengen do të jetë për një periudhë 30 ditore. Do të lejohet lëvizja për transportin e mallrave në mënyrë që tregtia të vijojë.
Lëvizja vjen në një kohë kur shumë shtete të Bashkimit Europian dhe vende anëtare të zonës Schengen kanë nisur kontrolle në kufijtë e tyre, duke ndaluar futjen e udhëtarëve që nuk kanë pasaportë të shtetit përkatës, përfshirë Gjermania e Estonia.