Pamjet e Tiranës këtë të diel, kur u lejuan që të dalin nga shtëpitë vetëm nënat dhe fëmijët e tyre nën 10 vjeç e kanë frymëzuar kryeministrin Edi Rama në hedhjen e një postimi gjysmë propozim dhe gjysmë këshille.
Kryeministri duket se teston në rrjetet sociale idenë e ndalimit të qarkullimit të makinave në kryeqytet përgjatë të gjithë fundjavës, edhe pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.
“Sa bukur do të ishte sikur gjithnjë më pas, të kishim fundjava pa makina fare dhe të mbanim mend, se për hir të gjyshërve e të fëmijëve së paku, jetohet edhe pa semaforë, pa bori e pa smog, të shtunave e të dielave në këtë vend me klimë të mrekullueshme, të paktën nga shtatori në prill kur s’ka nisur ende koha e plazhit”, thotë ai.