Në kuadër të operacionit policor të koduar “Triple” është vënë në pranga 52-vjeçari me iniciale P.H. pasi kishte përshtatur hotelin e tij për përdorim droge, ushtrim prostitucioni dhe mbante armë zjarri në ambientet e hotelit.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë po ashtu 41-vjeçari me iniciale I.Sh. për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”, M. M., 35 vjeçe dhe F. K., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prostitucioni”, V. B., 54 vjeçe, D. L., 35 vjeç dhe R. S., 23 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Prostitucioni”.
Në njërën prej dhomave ku zhvillohej veprimtaria e kundërligjshme e prostitucionit është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, shuma parash të dyshuara të përfituara nga këto veprimtari kriminale, dy aparatura DVR, dy peshore elektronike dhe katër aparate celulare, që u gjetën në ambientet e tjera të hotelit në pronësi të 52-vjeçarit me iniciale P. H.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.