Një 38-vjeçare kineze, e cila së bashku me një bashkëpunëtore po kineze, kishte ngritur një rrjet prostitucioni në Tiranë, është arrestuar duke u larguar nga aeroporti i Rinasit.
Dy ditë më parë policia e Tiranës, zbuloi një rast ku dy shtetase kineze rekrutonin vajza nga Kina dhe Filipinet përmes rrjeteve sociale, dhe më pas i shfrytëzonin, në një banesë që kishin përshtatur në kryeqytet.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se dy autoret e dyshuara, nëpërmjet rrjeteve sociale rekrutonin shtetase kineze dhe filipinase, të cilat i akomodonin në një ambient të marrë me qira të përshtatur për shfrytëzim prostitucioni dhe më pas duke përdorur faqen “Escort Tirana” i shfrytëzonin për prostitucion.
Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy autoret e dyshuara me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave.
“Vijon operacioni policor i koduar “Red Light 2”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Rinas. Arrestohet një 38-vjeçare, shtetase kineze, e implikuar në veprimtarinë kriminale të shfrytëzimit të prostitucionit.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ato të Komisariatit të Policisë Rinas, në zbatim të planit të masave të përbashkët për goditjen e krimeve kufitare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se në pkk Rinas, do të kalonte një shtetase në kërkim, për shfrytëzim prostitucioni, kanë vijuar operacionin policor të koduar “Red light 2”.
Si rezultat i tij u ndalua shtetasja kineze N. D., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim për veprat penale “Shfrytëzimi prostitucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, dhe “Dëmtime te tjera me dashje”, parashikuar nga nenet 114, 115, 109-b, 90 të Kodit Penal.
38-vjeçarja së bashku me shtetasen Y. Y., 52 vjeçe (arrestuar më parë gjatë operacionit), dyshohet se rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze të cilat më pas i shfrytëzonin për prostitucion. Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy shtetaset e arrestuara, me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekturuara. Materialet i kaluan Prokurorisë”, njoftoi policia.