Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, fjalën e tij në Kuvend, në nisjen e sesionit të ri parlamentar, e nisi duke u ndalur te protesta e banorëve të Krujës dhe Fushë Krujës, të cilët janë mbledhur në protestë para godinës së Parlamentit.
Përpos kallëzimit që kanë bërë në SPAK ndaj ministres Belinda Balluku, ata kërkojnë hyrje-dalje në segmentin Thumanë-Kashar.
Në fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi e konsideroi turp dërgimin e forcave policore në këtë protestë. Më tej ai i bëri thirrje zv.kryeministres Balluku që të dëgjojë kërkesat e tyre dhe t’u japë zgjidhje.
“Ka një kërkesë minimale që do duhet që ministrja përgjegjëse së pari t’i dëgjojë dhe së dyti t’u japë zgjidhje. Kërkojnë hyrje-dalje në rrugë kombëtare, kjo është kërkesë minimaliste që nuk kërkon impenjim nga qeveria, as fonde shtesë. Kërkon thjesht dashamirësi për të dëgjuar zërin e kërkesave të drejta të qytetarëve shqiptarë. Prandaj zonja ministre, zv.kryeministre, të kërkoj që në përfundim të seancës të dalësh t’i dëgjosh qytetarët, meqënëse nuk i prisni në institucionet shtetërore. Jepu një zgjidhje shqetësimit të tyre. Nuk është zgjidhje dërgimi i armatave të policëve, a thua se ç’po ndodh në atë protestë! Është turp për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit që harxhon burimet e veta njerëzore për të shkuar e për të shtypur protestën e vajzave, grave, burrave e pleqve të asaj zone. Shkojnë atje forca speciale a thua se po luftojnë krimin e organizuar. Është turp për një qeveri që nuk i jep zgjidhje një problemi që zgjidhet brenda një ore.“
Bardhi theksoi se as ky sesion parlamentar nuk do të jetë produktiv.
“Tradita e kërkon që të urohet punë e mbarë, por sot nuk është rasti. Sepse qeveria e Ramës e ka shndërruar këtë sallë në Parlamentin e punëve personale sepse pushteti i tij është personal kundër interesit publik. Jemi vetëm në letër Republikë Parlamentare. Këto 12 vite janë treguesi më i qartë se për pushtetin personal ai është i gatshëm t’i vërë flakën Shqipërisë, ka shkretuar vendin, ka detyruar të ikin brenda një dekade rreth 1 mln shqiptarë. Nuk ka bërë kjo qeveri e ky Parlament ndonjë punë të mirë që t’u thonim punë të mbarë. Dhe kam bindjen që ky sesion nuk do jetë ndryshe nga 11 vitet e keqqeverisjes së Edi Ramës. Praktika ka treguar se shumica nuk ka vullnet për të debatuar ligje apo nisma në të mirë të qytetarëve. Është kthyer Kuvendi në noter të ligjeve klienteliste.“