Gunther Krichbaum, zëdhënësi për çështjet evropiane i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, ka reaguar ashpër ndaj protestave të dhunshme të zhvilluara së fundmi në Tiranë nga përkrahësit e Partisë Demokratike, duke i cilësuar ato të papranueshme për një vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Në një deklaratë për media, lëshuar të martën në Berlin, Krichbaum ka bërë thirrje për distancimin e menjëhershëm të ish-kryeministrit Sali Berisha nga aktet e dhunshme: Nëse Berisha do të kishte ende sadopak besueshmëri, ai do të duhej të distancohej menjëherë nga kjo lloj proteste dhe t’i përjashtonte të dhunshmit nga partia. “Fatkeqësisht lind dyshimi se Berisha po i nxit më tej këto protesta”.
PD duhet të ndryshojë kreun
Në të kaluarën, Partia Demokratike ka qenë e njohur për vlerat e saj evropiane, por sipas Krichbaum, ajo është larguar gjithnjë e më shumë nga këto parime. Ai theksoi se është e domosdoshme që PD-ja të rinovohet dhe të zgjedhë në krye një lider me integritet, në mënyrë që të funksionojë si një opozitë e fortë dhe konstruktive. “Një demokraci e shëndetshme ka nevojë për një qeveri dhe për një opozitë të fortë,” tha Krichbaum.
Lidhur me arrestin shtëpiak të Berishës, Krichbaum theksoi se SPAK është një institucion i pavarur dhe i besueshëm, krijuar nën presionin e Bashkimit Evropian, dhe se akuza ndaj Berishës është serioze. Sipas tij, në çdo shtet të Bashkimit Evropian, një politikan me akuza të tilla do të ishte në paraburgim dhe jo në arrest shtëpie komod. Krichbaum theksoi se “Berisha nuk duhet të paraqitet si viktimë e një procesi të motivuar politikisht, por duhet të përballet me akuzat ndaj tij”.
Në përfundim, Krichbaum deklaroi se ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse Partia Demokratike do ta ketë forcën e nevojshme për t’u rinovuar dhe për të rifituar besimin e qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë./ Marrë me shkurtime nga DW