Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e protestës kombëtare të thirrur nga opozita ditën e martë.
Policia bën me dije se në terren do të jenë mbi 1100 forca policia, duke përfshirë FNSH-në, Shqiponjat dhe Gardën e Republikës.
Dera e kryeministrisë do të mbyllet me dyer metalike, ndërkohë që një kordon me efektivë do të rrethojë selinë e qeverisë.
Gjithashtu bëhet me dije se përgjatë të gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” policia ka montuar kamera me rezolucion të lartë me qëllim monitorimin e protestës.
Segmentet rrugore që do të bllokohen 2 orë para nisjes së protestës deri në përfundim të saj janë:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
“Protesta e thirrur për nesër në orën 17:30 nga Rithemelimi ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit. Burime nga policia bëjnë me dije se mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Do të ketë edhe autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë”, thuhet në njoftimin e policisë.