Kryesore Protesta e opozitës, grupi parlamentar i PD kallëzon në SPAK ministrin e...

Protesta e opozitës, grupi parlamentar i PD kallëzon në SPAK ministrin e Brendshëm dhe zyrtarët e policisë

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes kryetarit Gazment Bardhi ka kallëzuar në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha; Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda; Drejtorin e Drejtorisë Vendore Tiranë, Elton Alushi dhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit pas tubimit të zhvilluar ditën e hënë.

Ata e akuzojnë ministrin Hoxha dhe zinxhirin drejtues të policisë për protestën për kryerjen e veprave penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, të kryera në bashkëpunim.

Në kallëzim janë evidentuar faktet dhe provat që sipas PD-së dëshmojnë se tubimi i njoftuar ishte i ligjshëm, si një e drejtë që garantohet nga Kushtetuta dhe se pengimi nga Policia e Shtetit ishte i kundërligjshëm dhe kriminal.

“Dhuna e ushtruar ndaj deputetëve, zyrtarëve politik të opozitës dhe qytetarëve, ka qenë e motivuar politikisht dhe një akt i rëndë kriminal i kryer në bashkëpunim nga zyrtarët e policisë së Shtetit”, njofton zyra për shtyp e PD.

Në lidhje me protestën e djeshme janë arrestuar 7 protestues ndërsa janë proceduar 40 deputetë të opozitës.