Kryesore Protesta e opozitës, Policia e Shtetit: Bllokimi i akseve rrugore, vepër penale....

Protesta e opozitës, Policia e Shtetit: Bllokimi i akseve rrugore, vepër penale. Reagon Bardhi

Pasditen e 29 tetorit Partia Demokratike ka paralajmëruar mosbindje civile për të paktën 3 orë. Duke nisur nga ora 17:00 mbështetësit e opozitës pritet të paralizojnë lëvizjen në të paktën 6 akse kryesore nga veriu në jug.

Në lidhje me këtë tubim ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Uniformat blu thonë se janë njohur me kërkesën e Partisë Demokratike dhe se policia garanton të drejtën për tubim, por pa cënuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Prandaj duke nisur edhe nga objekti i kërkesës së bërë, policia thotë se i ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të makinave dhe qytetarëve. Prandaj sipas uniformave blu, bllokimi i rrugëve është vepër penale dhe kush merr veprime për të bërë diçka të tillë do të ndëshkohet sipas pasojave që sjell shkelja e ligjit.

“Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private. Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore, Policia e Shtetit iu ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve. Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni”, njoftoi policia.

Policia thotë se ka marrë masa që në raste bllokimesh të devijojë qarkullimin e makinave në rrugë alternative. Po ashtu u bëhet thirrje qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Rinasit e që duhen në aeroport në orën 17:00, të mbërrijnë atje para kësaj ore, ose të përdorin rrugë alternative për të mbërritur në kohë.

“Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve”, njoftoi policia.

Pas deklaratës së policisë, ka reaguar edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, që hodhi akuza ndaj kreut të Policisë, Ilir Proda.

“Ilir Proda?! Zëdhënësi i bandës së Elbasanit? Ai do na ndjekë ne penalisht?! Të rrijë dhe ca ditë në detyrë dhe do e shikoni shumë shpejt se siç është provuar çdo akuzë e PD-së për lidhjet me krimin e organizuar… Ai është emëruar në atë detyrë të lartë nga kreu i bandës së Elbasanit”, tha Bardhi.

Kërkesa e Partisë Demokratike për protestë është bërë nga ora 17:00 deri në 20:00. Rrugët që pritet të bllokohen nga opozitarët do të jenë mbikalimi i Kamzës dhe i Shkozetit për rrugën Tiranë-Durrës, kryqëzimi i Milotit për rrugën Kashar-Milot, rrethrrotullimi i Bradasheshit për rrugën Elbasan-Tiranë, rrethrrotullimi i Rrogozhinës për rrugën Durrës-Fier dhe rrethrrotullimi i Levanit për rrugën Levan-Tepelenë.