Ndërkohë që opozita do të protestoje sot para Parlamentit, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për ruajtjen e godinës se seancave plenare dhe për ruajtjen fizike të deputetëve të Kuvendit.
Edhe në këtë seancë, përfaqësuesit e maxhorancës, por edhe deputetët e rinj opozitarë do të hyjnë nga pedonalja, e cila do të jetë e gjitha e rrethuar me efektivë të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.
Godina e Parlamentit do të vijojë të jetë e rrethuar me kamera për të fiksuar të gjithë protestuesit e opozitës që mund të shfaqin shenja dhune. Gjithashtu, dera që lidh selinë e Partisë Demokratike me sallën e Parlamentit do të vijojë të jetë e bllokuar edhe përgjatë ditës së sotme.
Gjatë seancës plenare, deputetëve të PS-së u është kërkuar të mbajnë fjalime dhe të mos kenë kontakte me protestën që zhvillohen jashtë Kuvendit.
Në rendin e ditës për këtë seancë janë parashikuar 6 pika, ku më e rëndësishmja është ajo “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.